Ministrisë i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Haki Demolli priti në takim një delegacion nga Departamenti amerikan i Shtetit ne krye me zotëri Matthew Palmer, drejtor për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore.
Në takimin e përbashkët të ministrit Demolli me delegacionin amerikan, ku ishin edhe zëvendësministri Muhamet Latifi, komandanti i Forcës së Sigurisë, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe shefi i Kabinetit zotëri Latif Leka, u bisedua për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FSK) si dhe rreth bashkëpunimit dypalësh të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, me partnerët strategjikë dhe me shtetet tjera partnere të vendit tonë.
Nga ana e tij, ministri Haki Demolli e njoftoi zotëri Palmerin mbi situatën e sigurisë në vend, zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe zhvillimet rreth procesit të saj të transformimit, planet e Ministrisë dhe Qeverisë lidhur me procesin e transformimit, gatishmërinë për transparencë në këtë proces si dhe domosdoshmërinë e koordinimit me NATO-n, partnerët strategjikë (SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, etj.)dhe hapat e mëtejmë të rrumbullakimit të këtij procesi mjaft të rëndësishëm të shtet ndërtimit të Kosovës. Z. Demolli tha se Kosova synon ndërtimin e një force shumetnike, mbrojtëse dhe e gatshme për t’i kontribuar paqes në rajon dhe më gjerë.
Gjithashtu, ministri Haki Demolli shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e NATO-s në ruajtjen e paqes në Kosovë përmes trupave të KFOR-it. Ai po ashtu tha se, aktualisht Republika e Kosovës është duke u përpjekur seriozisht që të zhvillojë dhe konsolidojë mekanizmat e saj të sigurisë për të ardhmen, gjithnjë bazuar në konsensus politik të brendshëm dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar.
Zotëri Matthew Palmer nga ana e tij shprehu mbështetje të plotë për rrugën euroatlantike të Kosovës. Ai tha se SHBA-ja mbështet transformimin e FSK-së në FAK dhe angazhohet që ky proces të jetë i mbështetur nga të gjitha palët në Parlamentin e Kosovës.