Duke kaluar më shumë se 16 muaj në burgjet izraelite, 17-vjeçarja Rose Khwais, palestinezja më e re e mbajtur nga Izraeli, u lirua në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve në Gaza.
Në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, autoritetet izraelite liruan 90 të burgosur palestinezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, nga burgu ushtarak Ofer që ndodhet në perëndim të qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar.
17-vjeçarja Khwais u arrestua në maj 2024 në Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor dhe u dënua me 10 vjet burg. Përpara kësaj, ajo nuk ishte arrestuar dhe u përball për herë të parë me këtë përvojë të ashpër.
“Unë hyra në burg e tronditur, pa e ditur as se çfarë ishte burgu”, tha Khwais për Anadolu pasi u kthye në shtëpinë e saj në Kudsin Lindor.
Vajza e re, e arrestuar në moshën 16-vjeçare, tha se nuk kishte njohuri për metodat izraelite të marrjes në pyetje apo taktikat e tyre të ashpra.
“Unë as nuk e dija se si dukej një qeli burgu. Gjithçka që kisha dëgjuar për burgjet ishte nga të burgosurit e tjerë, se ishte një dhomë e vogël me dyshek. Por kurrë nuk e prisja të ishte kaq e keqe”, shtoi ajo.
Duke përshkruar përvojën e saj, Khwais tha: “Burgu do të thotë errësirë. Ju nuk shihni askënd. Është thjesht një varr me dritë të ndezur”.
– Të burgosurit përjetojnë vuajtje të ndryshme
Khwais kujtoi forma të ndryshme të vuajtjeve në paraburgimin izraelit.
“Ne iu nënshtruam shtypjes, duke përfshirë përdorimin e armëve, frikësimin dhe kërcënimet”, tha ajo.
17-vjeçarja foli gjithashtu për shkelje të privatësisë, duke përfshirë kontrollet me zhveshje, frikësimin dhe kërcënimet për ngacmim ndaj vajzave.
“Ka pasur ngacmime të vërteta”, tha ajo, duke përmendur incidente të tilla si vajzat që ktheheshin nga izolimi me shamitë e tyre të hequra.
Për shkak të kushteve të vështira që kaloi në burg, Khwais pranoi: “Burgu ndryshoi shumë gjëra tek unë”.
Kushtet e ashpra dhe metodat e rënda të marrjes në pyetje e bënë Khwais-in të kishte probleme shëndetësore, duke e ekspozuar atë ndaj sfidave shumë më të mëdha në krahasim me moshën që ka.
“Burgu më ndryshoi shumë. Pas 37 ditësh marrje në pyetje në Al-Maskobiya (një qendër paraburgimi e Izraelit në Kudsin Perëndimor), nuk munda të duroja më. Rrugës për në gjykatë, nën presion të madh, papritmas u gjenda në spital”, tha ajo.
– Përvoja e tmerrshme shëndetësore
Vajza palestineze përshkroi dhimbjet e saj, të cilat përfshinin shenja të një goditjeje, probleme me zemrën dhe me presionin e gjakut.
“Kam qëndruar në spital dhe kur u përpoqa të lëvizja, kuptova se isha në pranga. Atëherë kuptova se isha ende në burg”, tha ajo.
Edhe teksa po luftonte me sëmundjen dhe prangat, Khwais shqetësohej më shumë për reagimin e familjes ndaj gjendjes së saj, sesa për vuajtjet.
“Kisha frikë se mos i tregonin familjes time për sëmundjen time, por megjithatë u thashë që të informonin familjen time”, tha ajo.
Reagimi i autoriteteve izraelite ishte e ashpër, teksa autoritetet i thanë asaj se ishte “e ndaluar” dhe e ndaluan atë të takohej me avokatin e saj.
Khwais tregoi vështirësi shtesë, duke përfshirë keqtrajtimin gjatë ekzaminimeve mjekësore.
“Kur më duhej të transferohesha në një seksion tjetër për analiza, ata më keqtrajtuan teksa isha e prangosur. Madje një mjek i kërkoi oficerit të policisë që ta thërriste menjëherë nëse gjendja ime përkeqësohej”, kujton ajo.
Khwais tha se pavarësisht se i tregoi një oficerit të policisë për dhimbjen e saj të forta, ajo si përgjigje mori një kërcënim: “Do të të thyej gojën”.
Vajza e re rikujtoi se i kishte thënë në atë kohë se kishte ndërmend ta raportonte ngjarjen në gjykatë dhe se kishte nevojë për trajtim mjekësor. Oficeri izraelit u përgjigj duke e udhëzuar kolegen e tij që ta “shtynte me shkop”.
“Burgu është i tmerrshëm, burgu është burg”, theksoi ajo.
– Dëshira më e madhe: Të shohësh qiellin
Dëshira më e madhe për gratë e burgosura palestineze, sipas Khwais, ishte “të shihnin qiellin”.
“Të burgosurit donin lirinë. Ne mund ta shihnim qiellin vetëm përmes vrimave të vogla të tavanit me tela të ndërlidhur hekuri. Ne iu lutëm Allahut që të na lejonte të shihnim qiellin pa ato vrima”, tha ajo.
Duke folur për momentet e para pas lirimit të saj të dielën, Khwais shtoi: “Ne pamë malin Carmel (Haifa), qiellin dhe shumë gjëra të tjera”.
Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi dje, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës.
Marrëveshja prej tre fazash përfshin një shkëmbim të të burgosurve dhe ndalim të armiqësive, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Rreth 47 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 110.700 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Lufta izraelite ka lënë më shumë se 11 mijë njerëz të zhdukur, me shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhrarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.