Palestinezët që kthehen në veri të Gazës thonë se kanë përjetuar “ndjenja të papërshkrueshme”

Dhjetëra mijëra palestinezë të ngarkuar me mall dhe dhimbje, të zhvendosur nga vendet e tyre nën rëndesën e gjenocidit të kryer nga Izraeli për më shumë se 15 muaj, po kthehen në veri të Rripit të Gazës nën hijen e humbjes dhe shkatërrimit, raporton Anadolu.

Pasi Izraeli njoftoi se do t’i lejonte palestinezët të kalonin Korridorin Netzarim i cili ndan veriun dhe jugun e Rripit të Gazës, palestinezët filluan të ecnin në veri përgjatë rrugës Rashid me ato pak sende që mund të merrnin me vete.

Derisa përjetojnë lumturinë për kalimin në tokat e tyre në veri, palestinezët thonë se ndjehen të lehtësuar psikologjikisht dhe se përjetuan ndjenja të papërshkrueshme sapo mbërritën në qytetin e Gazës.

– “Ndjenjat e mia janë të papërshkrueshme”

Ahmed Abdurrahman, i cili u zhvendos në Khan Younis rreth 14 muaj më parë dhe u kthye në qytetin Beit Lahia në Rripin verior të Gazës, i ka përshkroi gazetarit të AA-së ndjenjat e tij.

Abdurrahman tha se erdhi në kampin e refugjatëve Nuseirat nga Khan Younis dhe se këtu ka pritur që të hapej rruga për në veri.

Duke përshkruar ndjenjën që përjetoi kur hyri në Gaza pas një periudhe të gjatë, palestinezi Abdurrahman tha: “Pavarësisht dëshmorëve, shkatërrimit, humbjes së shtëpive, kthimi në shtëpi është një ndjenjë e papërshkrueshme”.

Kthimin e palestinezëve në veri të Gazës, Abdurrahman e cilësoi si një “skenë kombëtare të përsosur” ndërsa tha se palestinezët erdhën në qytetin e Gazës me flamujt e tyre dhe buzëqeshjet në fytyrat e tyre.

– “Era e Gazës është si aroma e parajsës”

Abu Khalil Bennat, i cili erdhi në qytetin e Gazës duke valëvitur flamurin palestinez në dorë, deklaroi se ka përjetuar momente plot emocione.

“Kur ndjeva për herë të parë erën e Gazës, ishte sikur hasa erën e parajsës. Gaza është krenari dhe rezistencë”, tha Bennat.

Bennat tha se erdhi në qytetin e Gazës në këmbë nga Deir el-Balah dhe vuri në dukje se do të vazhdojë të ecë derisa të arrijë në shtëpinë e tij në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës.

“Unë ndihem i qetë vetëm në shtëpinë time”, u shpreh Bennat i cili shtoi se do ta shohë shtëpinë e tij për herë të parë që nga largimi në tetor të vitit 2023.

– “U ndjemë të lehtësuar psikologjikisht”

Palestinezi Iyd al-Silawi tha se ai u kthye pasi u përpoq të jetonte si person i zhvendosur në qytetet jugore për 11 muaj dhe se ndjeu “lehtësi psikologjike” që nga momenti kur hyri në qytetin e Gazës.

“Kur hymë në qytetin e Gazës, u ndjemë të lehtësuar psikologjikisht dhe morëm frymë. Në këtë zonë ka jetë, morali dhe ana shpirtërore janë të larta. Palestinezët që u kthyen në shtëpitë e tyre janë ndjerë sikur janë ringjallur”, tha Al-Silawi.