Palestinezët që kanë hyrë në itikaf në xhaminë Al-Aksa luten për Gazën

Palestinezët të cilët kaluan 10 ditët e fundit të Ramazanit duke u falur në xhaminë Al-Aksa, vendin e tretë më të shenjtë në Islam, thanë se nuk do ta lënë Al-Aksan vetëm dhe u lutën për çlirimin e Gazës, raporton Anadolu.

Xhamia Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar nga Izraeli, konsiderohet si vendi i tretë më i shenjtë në Islam.

Me ardhjen e muajit të Ramazanit, edhe këtë vit jeta në Kudsin Lindor dhe në Qytetin e Vjetër, i cili pret vendet e shenjta të tri feve abrahamike është formësuar përreth xhamisë Al-Aksa.

Pavarësisht kufizimeve të vendosura nga policia izraelite, palestinezët dhe muslimanët u dyndën në xhaminë Al-Aksa gjatë iftarit, namazit, teravisë dhe namazeve të xhumasë.

Në 10 ditët e fundit të Ramazanit, palestinezë dhe muslimanë të ardhur nga e gjithë bota hynë në itikaf duke ngritur tenda në xhaminë Al-Aksa. Myslimanët që hynë në itikaf i kaluan ditët e tyre në xhaminë Al-Aksa, duke adhuruar, duke lexuar Kuran dhe me biseda e kuvende të dijes.

Ekipi i AA-së foli me palestinezët që po kryenin itikafin në xhaminë Al-Aksa.

Palestinezët theksuan se xhamia Al-Aksa nuk u përket vetëm palestinezëve, por gjithë botës islame dhe thanë se këtë vit kanë kaluar një Ramazan të hidhur dhe se janë lutur për Gazën.

Palestinezi, shtetasi izraelit Mohammed Masarve, i cili ka hyrë në itikaf me djalin e tij Jusufin, tha se ai e kryen këtë adhurim që nga viti 2000.

Duke e përshkruar Al-Aksan si “dera që hapet drejt qiellit”, Masarve tha se “pas namazit të sabahut falim namaz të lutjes, marrim pjesë në mësimet e Kuranit në xhami dhe i bashkohemi rrethit të dijes si texhvidi dhe tefsiri ndërsa pas namazit të drekës flemë”.

Pas namazit të ikindisë, Masarve tha se bëjnë blerje për iftar dhe teksa gatuajnë ushqimet nëse ka kohë lexojnë Kuran dhe se pas iftarit pas namazit të akshamit kalojnë kohën me kafe dhe ëmbëlsirë.

Ai shtoi se koha ka kaluar shpejt dhe ky vit ka qenë ndryshe nga të tjerët.

“Zemrat tona janë me vëllezërit tanë në Gaza. Jemi në dhimbje, zemrat tona janë thyer. Vëllezërit tanë në Bregun Perëndimor nuk mund të vijnë këtu. Na mungojnë ditët kur kishim vëllezër nga Gaza, nga Bregu Perëndimor. Këtë vit shihni se ka vetëm njerëz mbi 50 vjeç nga Bregu Perëndimor. Të rinjtë nuk janë në mesin tonë. Nuk ka gëzim të plotë. Ne jemi të kënaqur me mëshirën e Allahut, me lidhjen që ne kemi me Al-Aksanë, por ne jemi të hidhëruar për atë që po i ndodh popullit tonë. Zoti na shpëtoftë”, u shpreh Masarve.

  • “Al-Aksa nuk është e palestinezëve, por e gjithë botës islame”

Palestinezi Masarve, i dërgoi një mesazh botës islame duke thënë: “Aksa është vakëf i umetit Islam. Aksa është shtëpia e Allahut, xhamia e të gjithë pejgamberëve. Edhe nëse të gjithë palestinezët vendosin vulat e tyre në një copë letre, prapëseprapë kjo është e pavlefshme. Al-Aksa i përket umetit Islam”.

“Aksa do të vazhdojë të qëndrojë këtu. Kryqtarët qëndruan këtu për 90 vjet dhe më pas u larguan. Shtypësit nuk mund të qëndrojnë në këto troje, mizoria nuk mund të mbretërojë këtu. Sa më shumë dhunë të përdorin ata, aq më i fortë bëhet vullneti i të rinjve”, tha palestinezi Masarve.

Ai thekson se palestinezët me shtetësi izraelite erdhën në Al-Aksa me dhjetëra autobusë nga jugu në veri të territoreve palestineze të pushtuara nga Izraeli.

Quteiba Tayye, një veteriner i ri palestinez dhe shtetas izraelit, tha se kishte hyrë në itikaf për herë të dytë këtë vit me miqtë e tij në çadrën që ata ngritën në oborrin e xhamisë Al-Aksa dhe se ditët i kalon në lutje dhe adhurim.

Tayye vuri në dukje se për shkak se Izraeli këtë vit ka penguar ardhjen e palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar, ata që hyjnë kryesisht në itikaf janë palestinezët me shtetësi izraelite dhe se atyre u bashkohen edhe muslimanët që vijnë nga pjesë të tjera të botës.

Pasi theksoi se ata janë lutur për çlirimin e palestinezëve në Gaza këtë vit, Tayye tha: “Sipas Islamit, çlirimi do të ndodhë”.