Sipas Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave (PCBS), rreth 5,9 milionë refugjatë palestinezë në mbarë botën përbëjnë popullsinë më të madhe të refugjatëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të lëshuar nga PCBS thuhet se refugjatët palestinezë jetojnë në 58 kampe në Jordani, Liban, Siri dhe në vende të tjera, ndëras shumë të tjerë janë vendosur në kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli dhe në Rripin e Gazës të bllokuar po ashtu nga Izraeli.
“Refugjatët palestinezë në Bregun Perëndimor të cilët janë të regjistruar në UNRWA, në vitin 2017 përbënin mbi 17 për qind të refugjatëve të regjistruar, kundrejt 24,4 për qind në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratë, e cila u lëshua me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.
Jordania ka numrin më të madh të refugjatëve palestinezë me 39 për qind të popullsisë totale të refugjatëve, pasuar nga Siria dhe Libani, me përkatësisht 10,5 dhe 9,1 për qind.
Sipas PCBS-së, 43 për qind e palestinezëve në shtetin e Palestinës janë refugjatë të zhvendosur.
PCBS bëri të ditur se shkalla e varfërisë në mesin e refugjatëve palestinezë u regjistrua me 39 për qind në vitin 2017, ndërsa arriti në 22,3 për qind në mesin e jo-refugjatëve.
“Shkalla e papunësisë midis refugjatëve arriti deri në 34,7 për qind krahasuar me 22,8 për qind në mesin e jo-refugjatëve në vitin 2017”, theksoi PCBS.
Më tej thuhet se analfabetizmi midis refugjatëve palestinezë në vitin 2017 për individët e moshës 15 vjeç e lartë arriti në 3 për qind, ndërsa në mesin e jo-refugjatëve në 3,6 për qind.
Dita Botërore e Refugjatëve vjen një muaj pas 70 vjetorit të Nakba-s (Katastrofa), term që përdoret nga palestinezët për t’iu referuar krijimit të Izraelit në vitin 1948.
Konflikti palestino-izraelit daton që nga viti 1917 kur qeveria britanike në “Dekleratën e Balfour-it” bëri thirrje në “krjimin në Palestinë të një shtëpie kombëtare për popullin hebre”.
Për shumë palestinezë, e drejta e kthimit në shtëpitë e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugë për shtetin e ri të Izraelit, është një e drejtë e patjetërsueshme.