Palestinezët në Gaza protestojnë kundër politikës izraelite të burgimit administrativ

Protesta u organizua nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës përpara selisë së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në qytetin e Gazës, ku protestuesit bënë thirrje për t’i dhënë fund politikës së ndalimit administrativ

Palestinezët në Rripin e Gazës morën pjesë sot në një demonstratë për të protestuar kundër politikës së ndalimit administrativ kundër të burgosurve në burgjet izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta u organizua nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës përpara selisë së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në qytetin e Gazës, ku protestuesit bënë thirrje për t’i dhënë fund politikës së ndalimit administrativ.

Awad Sultan, një anëtar i Komitetit Qendror të Frontit, njoftoi se “45 të burgosur të Frontit po protestojnë kundër politikës së ndalimit administrativ përmes një greve urie, e cila është gjithashtu një lëvizje për të mbështetur Raed Rayan dhe Khalil Awawda të cilët kanë qenë në grevë urie për më shumë se 100 ditë”.

“Jetët e dy të burgosurve janë në rrezik të pashmangshëm dhe duhet të ndërmerren veprime urgjente”, shtoi Sultan.

Ai gjithashtu kërkoi një “përgjigje kombëtare ndaj kësaj politike të represionit dhe abuzimit”, duke theksuar se “më shumë të burgosur do t’i bashkohen grevës gjatë periudhës së ardhshme”.

Sipas organizatave palestineze të të drejtave të njeriut, Izraeli mban rreth 4.700 të burgosur palestinezë brenda burgjeve të tij, duke përfshirë 700 të burgosur administrativë. /aa