Palestinezët në Rripin e Gazës filluan të blejnë për nevojat e tyre të përditshme në një treg të ngritur mes ndërtesave të dëmtuara rëndë nga sulmet ajrore izraelite pas marrëveshjes së armëpushimit, raporton Anadolu.
Tregu është ngritur në kampin e refugjatëve Nuseirat për nevojat e palestinezëve pas marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe fraksioneve palestineze.
Afro 47 mijë palestinezë kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, krahas shkatërrimit masiv të shkaktuar nga bombardimet dhe mungesës së artikujve elementarë për mbijetesë.
Të dielën hyri në fuqi faza e parë gjashtëjavore e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit në enklavë.
Marrëveshja trefazore e armëpushimit përfshin shkëmbimin e të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.