Banorët palestinezë thonë se ushtria izraelite po zbaton një plan për t’i shndërruar në “geto” qytetet palestineze në Bregun Perëndimor të okupuar.
“Ushtria po synon të kontrollojë plotësisht Bregun Perëndimor duke ngritur postblloqe dhe kontrolle ushtarake”, tha për Anadolu, Abdullah Abu Rahma, një aktivist lokal.
Ai shtoi se ushtria “po përdor gjithashtu kolonët për të sulmuar automjetet palestineze dhe lagjet e populluara”.
Zyrtarët izraelitë kanë folur për shpërthime të mundshme të dhunës në Bregun Perëndimor i cili shprehi solidaritet me Gazën.
“Izraeli po përfiton nga preokupimi global me Gazën për të zbatuar një plan të vjetër për ta kthyer Bregun Perëndimor në geto” tha Abu Rahma.
Për vite me radhë, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, kanë synuar të ndajnë tokën palestineze, duke e bërë një shtet palestinez me territor të pandarë gjithnjë e më të vështirë për t’u formuar.
Izraeli nisi sulme ajrore të vazhdueshme në Gaza pas sulmit ndërkufitar të 7 tetorit nga Hamasi në qytetet kufitare izraelite.
Të paktën 3.785 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra në Izrael qëndron në më shumë se 1.400 njerëz.
Gaza po përballet me një krizë të rëndë humanitare, pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore janë në mbarim e sipër.
Kreu i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet epike njerëzore”.
“Teksa Izraeli mbyll rrugët, unë përdor rrugët anësore nëpër fshatra dhe fusha për të arritur në vendin tim të punës në qytetin qendror Ramallah”, tha për Anadolu, Azzam Jabr, një shofer palestinez nga Tulkarm në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të okupuar.
“Shumë rrugë janë të mbyllura, gjë që na detyron të përdorim rrugë anësore”, tha ai, duke shtuar: “Qarkullimi në rrugët kryesore është gjithashtu i rrezikshme për shkak të sulmeve nga kolonët izraelitë”.
Krahas konfliktit të Gazës, Izraeli ka nisur një fushatë arrestimi masiv në të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar.
Sipas Shoqatës Palestineze të të Burgosurve, një organizatë joqeveritare lokale, që nga 7 tetori, rreth 850 palestinezë janë arrestuar nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor.