Palestinezët të cilët u larguan nga gjenocidi dhe bllokada që ushtria izraelite po kryen në veri të Rripit të Gazës për më shumë se një muaj dhe të cilët migruan në perëndim të qytetit të Gazës, jetojnë të privuar nga nevojat më elementare njerëzore, raporton Anadolu.
Palestinezët në Beit Hanoun, Jabalia dhe Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës, pas paralajmërimeve për evakuim të ushtrisë izraelite u strehuan në shkollën “Mamounia” që i përket Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në perëndim të qytetit të Gazës.
Palestinezët që u vendosën në shkollën e cila u sulmua dhe u dëmtua nga Izraeli në fillim të luftës, po përpiqen të mbijetojnë në kushte shumë të vështira. Derisa fëmijët luajnë mes rrënojave dhe plehrave në shkollë, gratë lajnë rroba dhe burrat ndezin zjarre.
– Bllokada është kudo
Palestinezët që u larguan nga bllokada dhe sulmet e Izraelit dhe të cilët janë zhvendosur me shpresën për të gjetur një vend më të mirë, ballafaqohen me të njëjtën pamje kudo që shkojnë.
Semahir al-Misri, një banore e Beit Hanoun tha se ditën kur ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e zonës ata u nisën pa marrë asgjë me vete dhe erdhën në shkollën “Mamounia”.
“U habitëm kur pamë se kishte bllokadë në qytetin e Gazës dhe në veri të tij. Këtu nuk ka as ushqim e as ujë të pijshëm. Na mungon aftësia për të përmbushur nevojat tona më elementare, madje edhe objektet e trajtimit shëndetësor. Fëmijët në veri të Gazës nuk janë as të vaksinuar”, tha Misri.
– Nuk ka ku të vendosësh fëmijën
Sabrin Ibrahim Kasim, e cila është strehuar në të njëjtën shkollë, ka bërë lindje para kohe për shkak të udhëtimit të saj të migrimit nga Beit Hanoun në Jabalia dhe më pas në perëndim të Gazës.
Ajo thotë se i është rritur tensioni gjatë rrugës për migrim dhe ka përjetuar helmim nga shtatzënia dhe se është dashur të lindë 2 ditë pas mbërritjes në shkollë. Kasim tha se është detyruar të lindë para se të mbushte muajin e 8-të të shtatzënisë.
Pasi vuri në dukje se ajo dhe foshnja e saj u ftohën pasi kushtet shëndetësore nuk ishin të mira, Kasim tha: “Nuk kam asnjë vend ku ta vendos fëmijën. Ne vendosëm gurë shtrimi të trotuareve në tokë dhe vendosëm një dyshek sfungjeri sipër. Kështu e vendos në gjumë djalin tim. Situata në Gaza është shumë e vështirë, nuk ka ushqim, nuk ka ujë”.
– Tualetet nuk kanë dyer
Ndërsa Isra Rasul Naim, një nga palestinezet e strehuara në shkollë, ka migruar nga Beit Hanoun në kampin e refugjatëve Jabalia dhe prej aty në shkollë.
Naim tha se ata janë të privuar nga nevojat më elementare njerëzore në shkollë. “Këtu nuk ka ujë, as ushqim, as dru. Shkolla nuk ka as dyer, as dritare. Ne i mbyllim me copë. Njerëzit nuk kanë batanije për t’u mbuluar. Kërkon të shkoni në banjë, por nuk ka derë, të tjerat i mendoni vetë”, tha Naim duke u përpjekur të shpjegojë privimin që përjetojnë.