Palestinezët e zhvendosur që jetojnë në tenda të improvizuara në Rripin e Gazës dhe ku Izraeli kryen sulme për më shumë se një vit, pas bombardimeve, urisë dhe sëmundjeve po luftojnë për të mbijetuar nën motin e ftohtë me fillimin e dimrit, raporton Anadolu.
Gjenocidi izraelit vazhdon prej më shumë se 15 muajsh në Rripin e Gazës, i cili ka një popullsi prej rreth 2.3 milionë banorësh. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), 9 nga 10 persona në Gaza janë zhvendosur për shkak të sulmeve izraelite.
Shumica e palestinezëve të zhvendosur në Gaza janë të detyruar të banojnë në tenda të improvizuara për shkak të shkatërrimeve të rënda të shkaktuara nga sulmet izraelite. Me ftohjen e motit, kushtet e jetesës së palestinezëve në Gaza janë bërë edhe më të vështira.
Krahas të ftohtit të acartë që ka sjellë stina e dimrit, 2 milionë palestinezë të zhvendosur po përballen me një fatkeqësi humanitare. Palestinezëve u mungojnë nevojat elementare të jetesës si rroba, krevate dhe batanije në rajonin ku janë formuar të gjitha llojet e pamundësive.
Ndërsa foshnjat që qëndrojnë në çadra të improvizuara me familjet e tyre, “i dorëzohen” motit të ftohtë.
Për shkak të të ftohtit të acartë në Rripin e Gazës, ku Izraeli vazhdon sulmet e tij që nga 7 tetori 2023 dhe ku ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë, javën e fundit kanë vdekur 7 persona, përfshirë 6 foshnja.
Palestinezëve të cilëve nuk u ka mbetur vend ku të shkojnë, po luftojnë për të mbijetuar nën uri, etje dhe të ftohtin në rajonin Al-Mawasi ku janë strehuar. Civilët të cilët janë zhvendosur shumë herë, nën sulmet dhe nën të ftohtin e acartë po përpiqen të mbijetojnë në tendat prej cope të grisura, të shqepura dhe tashmë të papërdorshme.
Palestinezët të cilët po kalojnë dimrin e dytë në këto tenda jo-rezistente ndaj shiut dhe të ftohtit, po luftojnë me sëmundje të ndryshme të shkaktuara nga i ftohti. Tendat ku gratë, fëmijët dhe të moshuarit përballen me kushtet e këqija atmosferike përmbyten shpesh për shkak të shiut.
– Rajoni Al-Mawasi
Shumica e refugjatëve jetojnë në rajonin Al-Mawasi i cili shtrihet përgjatë bregut të Mesdheut nga qyteti Deir al-Balah në qendër të Rripit të Gazës deri në qytetin Rafah në jug.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizata ndërkombëtare e ndihmës “Oxfam”, 1.7 milion njerëz janë detyruar të strehohen në këtë rajon që nga 7 tetori 2023, kur filluan sulmet në Rripin e Gazës.
– 81 për qind e tendave janë të konsumuara
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se “81 për qind e tendave ku qëndrojnë civilët e zhvendosur në Rripin e Gazës janë plotësisht të konsumuara. Përafërsisht 110 mijë nga 135 mijë tendat janë të papërdorshme”.
Kushtet e të zhvendosurve u vështirësuan me ardhjen e muajve të dimrit dhe fillimin e temperaturave të acarta, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se “Izraeli po shkakton edhe një herë tragjedi të re njerëzore që kërcënon jetën e mijëra refugjatëve”.
Në deklaratë thuhet se refugjatët që kanë mbetur nëpër rrugë si pasojë e shkatërrimit të shtëpive të tyre nga Izraeli mbijetojnë nën kushte të vështira dhe se disa refugjatë, përfshirë foshnjat kanë humbur jetën në ditët e fundit për shkak se nuk kanë mundur të durojnë të ftohtin.
“Rreth një milion njerëz të zhvendosur, për më shumë se një vit jetojnë në tenda të bëra prej cope të papërdorshme”, theksohet në deklaratën ku shtohet se në rajon ka ndodhur një fatkeqësi humanitare për shkak të gjenocidit të kryer nga forcat izraelite të cilët kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe kanë lënë palestinezë të pastrehë, duke i detyruar ata të jetonin në tenda të papërshtatshme.
– Temperaturat pritet të kenë rënie të mëtejshme
Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të ndërmarrë hapa efektivë dhe urgjent për të ndaluar krimin e gjenocidit të kryer nga Izraeli dhe kërkohet të sigurohet strehë për çdo familje palestineze.
Deklarata u bën thirrje vendeve arabe dhe islame dhe të gjitha organizatave humanitare dhe ndërkombëtare për “shpëtimin e civilëve në Rripin e Gazës dhe nevojën për veprime urgjente për t’u siguruar atyre strehim bazë, nevojat ushqimore dhe ilaçe në një mënyrë të sigurt”.
Mbrojtja Civile Palestineze në Rripin e Gazës lëshoi udhëzime për personat e zhvendosur që të shmangin rreziqet e “ftohtit ekstrem” veçanërisht për fëmijët, pacientët dhe të moshuarit kur hyjnë në tenda dhe qendra strehimi.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Gaza tha se pritet ulje e temperaturave të motit në Palestinë dhe Gaza dhe u bëri thirrje personave të zhvendosur që “të vendosin fasha të ngrohta në pjesët e trupit të tyre si duart dhe këmbët, t’i fërkojnë ato së bashku herë pas here si dhe të monitorojnë vazhdimisht temperaturën e trupit të fëmijëve”.