Palestinezët që janë detyruar të migrojnë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, luftojnë me motin e ftohtë dhe shiun që ka përfshirë rajonin, raporton Anadolu.
Kriza humanitare në rajon po përkeqësohet për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
Fotografitë e shkrepur nga fotoreporterët e Anadolu në rajon, tregojnë përmasat e mëdha të problemeve që palestinezët janë duke i përballuar në rajone të ndryshme të Gazës.
Palestinezët që jetojnë në tenda të improvizuara në qytetin Deir al-Balah, që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ndikohen më së shumti nga shirat dhe moti i ftohtë.
Ndërkaq, një pjesë tjetër e palestinezëve jetojnë në tendat e imporvizuara në stadiumin e Yarmouk në qytetin e Gazës. Palestinezët janë strehuar këtu pasi janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre në veri të Rripit të Gazës ku Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij.
Palestinezët, të cilët braktisën shtëpitë e tyre dhe u strehuan në qytetin Khan Yunis të Gazës për shkak të sulmeve, po përpiqen të sigurojnë furnizime me ujë dhe ushqim për fëmijët e tyre, ndërkohë që po përballen me kushtet e motit të ftohtë në tendat e improvizuara ku qëndrojnë.
Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit vitin e kaluar, duke vrarë të paktën 44.200 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104.500 të tjerë.
Tashmë në vitin e dytë, gjenocidi izraelit në Gaza ka tërhequr një dënim në rritje ndërkombëtar, me figura dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.
Të enjten, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën brutale ndaj Gazës.