Palestina: Vetoja e SHBA-së, mosrespekt ndaj komunitetit ndërkombëtar

Autoritetet palestineze thanë se SHBA-të me vendosjen e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi projekt-rezolutën për statusin e Kudsit, kanë treguar mosrespektim ndaj bashkësisë ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

“Vendimi për veto është në kundërshtim me konsensusin ndërkombëtar dhe rezolutat e OKB-së, ndërsa mbështet Izraelin okupues”, tha Nebil Abu Rudeyne, zëdhënës i zyrës së Presidentit.

Ai theksoi se ky vendim do të izolojë edhe më tej SHBA-të.

“Vetoja do të izolojë më tej SHBA-të, por gjithashtu do të shkaktojë tensione të reja brenda bashkësisë ndërkombëtare”, tha Ebu Rudeyne.

Në fund, ai shtoi se autoritetet palestineze do të vazhdojnë përpjekjet e tyre në të gjitha organizatat ndërkombëtare në luftën për të drejtat e popullit të tij.

SHBA-të i vënë veto projekt-rezolutës për Kudsin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me iniciativën e Turqisë dhe të paraqitur nga Egjipti, e cila kërkonte që vendimet mbi statusin e Kudsit të mos kenë efekt ligjor dhe të njëjtat të refuzohen.