Palestina ka refuzuar kushtet e parashtruara nga Izraeli për rifillimin e negociatave të paqes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia palestineze e lajmeve WAFA, e cila ka cituar zëdhënësin presidencial Nebul Ebu Redine të ketë thënë se nuk kanë pranuar kushtet e Izraelit për fillimin e negociatave për paqe me qeverinë palestineze.
Ebu Redine ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar ndihet i gëzuar që qeveria kombëtare palestineze është kthyer në Gaza dhe që qeveria e pajtimit ka marrë detyrën në këtë vend.
“Marrëveshja e arritur në Kajro nën mbikëqyrjen e Egjiptit po shkon në drejtimin e duhur. Asnjë mendim i Izraelit nuk do ta ndryshojë qëndrimin zyrtar për sa i përket vazhdimit të këtij procesi. Pajtimi mes lëvizjeve Hamas dhe Fatah është në interes të madh për Palestinën”, ka thënë Ebu Redine.
Ndryshe, Izraeli ka parashtruar shtatë parakushte, përfshirë “çarmatosjen e Hamasit”, në mënyrë që të rifillojë negociatat për paqe me qeverinë palestineze.
Në deklaratën ku Izraeli shpalosi kërkesat e tij, kërkohej që “Hamasi të çarmatoset, të njohë Izraelin dhe të braktisë terrorin, të kthejë trupat e pajetë të ushtarëve izraelitë dhe civilët e burgosur, qeveria palestineze të marrë kontrollin e plotë të sigurisë në Gaza dhe atë të vendkalimeve kufitare dhe ta parandalojë kontrabandën. Qeveria palestineze t’i vazhdojë operacionet kundrejt strukturës terroriste të Hamasit në Bregun Perëndimor, t’i ndërpresë marrëdhëniet me Iranin ndërsa hyrja e parave dhe pajisjeve humanitare në Gaza të vazhdojë mbi mekanizmin e krijuar për këtë qëllim me qeverinë palestineze”.
Në kuadër të bisedimeve në Kajro të Egjiptit, fraksionet palestineze Hamas dhe Fatah javën e kaluar nënshkruan “marrëveshjen e pajtimit” për t’i dhënë fund mospajtimeve.
Negociatat për paqe mes Izraelit dhe qeverisë palestineze u ndërprenë në vitin 2014.