Ministri palestinez i Ekonomisë Mohammed Alamour përshëndeti të martën një vendim të Turqisë për të kufizuar eksportet e mallrave të caktuara në Izrael në mes të ofensivës vdekjeprurëse të Tel Avivit në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë, Alamour tha se vendimi turk konfirmon mbështetjen e Turqisë për popullin palestinez dhe “përpjekjet e saj të pandërprera për të detyruar qeverinë okupuese (izraelite) të ndalojë gjenocidin e saj” në Gaza.
Vendimi turk “është një hap në drejtimin e duhur për të zbatuar rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në lidhje me një armëpushim të menjëhershëm dhe ofrimin e ndihmës dhe lehtësimeve për popullin tonë në Rripin e Gazës”.
Ministri i Ekonomisë përshëndeti marrëdhëniet e thella politike dhe ekonomike midis Palestinës dhe Turqisë. Më herët të martën, Turqia kufizoi eksportet e produkteve të caktuara në Izrael derisa të zbatojë armëpushimin dhe të lejojë një “fluks të mjaftueshëm dhe të pandërprerë” të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
“Izraeli vazhdon të shkelë në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar dhe injoron thirrjet e shumta të komunitetit ndërkombëtar për armëpushim dhe ndihma të pandërprera humanitare”, tha Ministria Turke e Tregtisë në një deklaratë.
Izraeli akuzohet për gjenocid në GjND, e cila në janar nxori një vendim të përkohshëm që urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.