Palestina: Pengesa e hyrjes së autokolonave të UNRWA-së në veri të Gazës thellon urinë

Ministria e Punëve të Jashtme të Palestinës tha se pengesa e hyrjes së autokolonave të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në veri të Gazës do të thellojë urinë, transmeton Anadolu.

MPJ e Palestinës bëri deklaratë me shkrim lidhur me vendimin e Izraelit për të mos lejuar hyrjen e autokolonave të ndihmës ushqimore të UNRWA-së në veri të Gazës. Në deklaratë dënohet vendimi në fjalë i Izraelit dhe thuhet se ky është një vendim shumë i rrezikshëm i cili do të thellojë urinë dhe krimet e kryera përmes urisë dhe etjes.

Gjithashtu vihet në dukje se vendimi është “kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj një institucioni prestigjioz dhe të besueshëm të OKB-së i cili i shërben zgjidhjes së problemeve të refugjatëve palestinezë dhe i cili interesohet jo vetëm për refugjatët palestinezë në territoret e pushtuara palestineze, por edhe me refugjatët palestinezë në rajon”.

Më tej theksohet se Izraeli po përpiqet të ndryshojë identitetin duke e ndarë Gazën nga populli i saj dhe refugjatët dhe se për këtë ka zgjedhur rrugën të shënjestrojë UNRWA-në, duke e lënë atë jashtë funksionit, jashtë shërbimit dhe duke vrarë personelin e saj.

Po ashtu në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe SHBA-së që të qëndrojnë me seriozitet përballë këtij vendimi të rrezikshëm i cili nënkupton vrasjen e civilëve dhe zhvendosje.

Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini më 24 mars deklaroi se Izraeli ka njoftuar se nuk do të lejojë hyrjen e autokolonave me ndihmë ushqimore të UNRWA-së në veri të Gazës në të cilën ka shkaktuar katastrofë humanitare duke e çuar me imponim drejt urisë dhe etjes.