Ministria e Jashtme e Palestinës u dorëzoi notë proteste ambasadorëve të Britanisë së Madhe, Austrisë, Çekisë dhe Bullgarisë për shkak të votimit të tyre kundër Palestinës në rezolutat ndërkombëtare në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe në Asamblenë e 74-t Botërore të Shëndetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme palestineze, thuhet se zv.ministrja Amal Jadou u ka përcjellë ministrave të thirrur tronditjen që Palestina ka përjetuar për shkak të “dritës së gjelbër” që i është ndezur administratës izraelite në këtë votim.
Jadou u ka thënë ambasadorëve se vendet në fjalë me qëndrimin e tyre “i kanë dhënë hapësirë Izraelit që të thellojë edhe më tej pushtimin e tij dhe e ka forcuar kulturën për shpëtimin nga ndëshkimi”.
Duke iu dorëzuar ambasadorëve notën e protestës së Ministrisë së Jashtme të Palestinës për t‘i dorëzuar në ministritë e tyre të jashtme, Jadou kërkoi nga ambasadorët deklaratë nga ministritë për votimin kundër Palestinës në votimet ndërkombëtare.
Po ashtu bëhet e ditur se të enjten më 3 qershor në ministri do të thirret edhe ambasadori i Gjermanisë.
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në seancën e mbajtur në Gjenevë më 27 maj pranoi rezolutën e cila përfshin formimin emergjent të komisionit të pavarur ndërkombëtar për të hetuar shkeljet e Izraelit për të drejtat e njeriut.
Gjithashtu edhe në Asamblenë e 74-t Botërore të Shëndetit që u mblodh më 26 maj, pavarësisht përpjekjeve të Izraelit kundër, u miratua rezoluta e mbështetur edhe nga Turqia lidhur me kushtet shëndetësore në territoret nën pushtim. /aa