Autoriteti Palestinez ka njoftuar se ua dorëzoi zyrtarëve amerikanë plumbin që vrau gazetaren e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, për të kryer një ekzaminim mjeko-ligjor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne kemi rënë dakord që të lejojmë palën amerikane të kryejë një ekzaminim mjeko-ligjor të plumbit që vrau gazetaren Abu Akleh”, tha Prokurori i Përgjithshëm palestinez, Akram al-Khatib, për televizionin Al Jazeera.
Ai tha se plumbi nuk do t’i jepet palës izraelite.
Më 11 maj, 51-vjeçarja Abu Akleh, po raportonte për një sulm ushtarak izraelit pranë kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, kur u qëllua për vdekje.
Përderisa zyrtarët palestinezë dhe punëdhënësi i saj Al Jazeera akuzuan Izraelin për vrasjen e gazetares, Tel Aviv mohoi çdo përgjegjësi.
Zyrtarët palestinezë kanë refuzuar një kërkesë izraelite për kryerjen e një hetimi të përbashkët për vdekjen e gazetares.
Më 26 maj, al-Khatib njoftoi se një ekzaminim i trupit të gazetares Abu Akleh konfirmoi se ajo u vra nga një plumb që depërton pajisjet blinduese, të qëlluar drejtpërdrejt në kokën e saj nga një snajper izraelit.
Disa agjenci kryesore mediatike, duke përfshirë Al Jazeera, CNN, Associated Press, Washington Post dhe New York Times, kryen hetimet e tyre, të cilat të gjitha përfunduan që Abu Akleh u vra nga një plumb izraelit.