Palestina do të rishikojë marrëdhëniet me Ligën Arabe

Qeveria palestineze do t’i paraqesë një rekomandim presidentit Mahmoud Abbas për rishikimin e marrëdhënieve me Ligën Arabe, tha të kryeministri Mohammed Shtayyeh, raporton Anadolu Agency (AA).

“Liga Arabe është bërë një simbol i mosveprimit arab”, tha Shtayyeh gjatë takimit të tij të përjavshëm të kabinetit.

Kryeministri palestinez, megjithatë, nuk dha detaje të tjera.

Ky hap vjen në mes të zemërimit palestinez rreth marrëveshjeve të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahreinit dhe Izraelit për të normalizuar marrëdhëniet e tyre.

Në Shtëpinë e Bardhë të martën do të organizohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve të normalizimit. Në ceremoni do të marrin pjesë presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed dhe ministri i Jashtëm i Bahrejnit, Abdul-Latif al-Zayani.

“E marta do të jetë një ditë e zezë në historinë e kombit arab dhe një humbje e institucionit të Ligës Arabe”, tha Shtayyeh.

Javën e kaluar, një takim ministror i Ligës Arabe nuk arriti të miratojë draftin palestinez që dënon marrëveshjen e normalizimit EBA-Izrael.

Bahreini u bë vendi i katërt arab që ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979, Jordanisë 1994 dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në gusht të vitit 2020.