Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Palestina dënon sulmet e kolonëve të paligjshëm dhe deklaratat për shkatërrim në...

Palestina dënon sulmet e kolonëve të paligjshëm dhe deklaratat për shkatërrim në Bregun Perëndimor

Palestina dënoi sulmet e kolonëve të paligjshëm izraelitë dhe deklaratat zyrtare për shkatërrimin e qyteteve palestineze dhe vendosjen e sanksioneve ndaj palestinezëve, raporton Anadolu.

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, dje bëri thirrje për shkatërrimin e qyteteve Jenin dhe Nablus në Bregun Perëndimor, duke hedhur paralele me qytetin Jabalia në pjesën veriore të Gazës.

Kolonët e paligjshëm sulmuan gjithashtu disa qytete palestineze në territorin e pushtuar pas vdekjes së tre izraelitëve në një sulm me armë zjarri.

“Ne denoncojmë deklaratat nxitëse të zyrtarëve izraelitë për të vendosur dënime kolektive, për të keqtrajtuar palestinezët dhe për të shkatërruar zonat e banuara në Bregun Perëndimor”, tha Ministria e Jashtme palestineze në një deklaratë.

MPJ-ja palestineze gjithashtu dënoi sulmet e kolonëve dhe djegien e makinave dhe pronave palestineze në territorin e pushtuar.

“Këto deklarata dhe sulme hedhin vaj në zjarr dhe janë një përshkallëzim i qëllimshëm i konfliktit dhe dhunës”, paralajmëroi ministria, duke shtuar se “zgjidhjet politike janë e vetmja mënyrë për të ruajtur paqen në zonë”.

Në deklaratë gjithashtu bëhet thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare “për të zbatuar një zgjidhje me dy shtete, për të mbrojtur popullin palestinez dhe për të vepruar me vendosmëri për të ndaluar planet e pushtimit izraelit”.

Tensioni është përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë pothuajse 45.900 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.

Të paktën 843 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 6.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Exit mobile version