Palestina dënon shkatërrimin e një xhamie nga ana e Izraelit

Ministri në detyrë i Palestinës për çështjet fetare, Hussam Abu al-Rub të mërkurën dënoi shkatërrimin e një xhamie nga ana e Izraelit në Bregun Perëndimor të okupuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ky është një krim dhe sulm i hapur ndaj ndjenjave të muslimanëve”, tha Hussam Abu al-Rub në një deklaratë, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Wafa.

Al-Rub gjithashtu i bëri thirrje botës arabe dhe Islame që të ndërhyjnë për të ndaluar sulmet e Izraelit.

Duke përdorur buldozerë, forcat izraelite rrafshuan me tokë xhaminë, e cila ishte në ndërtim e sipër në qytetin Umm Qusah në jug të El-Khalilit dhe disa struktura në Bregun Perëndimor.

Forcat izraelite gjithashtu shkatërruan një strukturë bagëtish në Khamis al-Jahalin në lindje të Kudsit, tha një dëshmitar okular. Dy objekte tjera bagëtish po ashtu u shkatërruan në komunitetin Bir al-Maskoub në Kudsin Lindor.

Palestinezët theksuan se të gjitha strukturat e shkatërruara ishin të vendosura në Zonën C.

Sipas Marrëveshjeve të Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tre pjesë – Zona A, B dhe C.

Izraeli parandalon palestinezët të kryejnë projekte ndërtimi në disa pjesë të Bregut Perëndimor të caktuara sipas marrëveshjes si Zona C, e cila bie nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë së Izraelit.

Zona C aktualisht është shtëpia e 300 mijë palestinezëve, shumica dërmuese e të cilëve janë beduinë dhe komunitete të bagëtisë, të cilët kryesisht jetojnë në çadra, karvane dhe shpella.

E drejta ndërkombëtare Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor i sheh si territore të okupuara dhe e konsideron të paligjshme të gjithë veprimtarinë e ndërtimit të vendbanimeve hebreje.