Palestina dënon politikën izraelite në Kudsin Lindor

Autoritetet palestineze dënuan politikën ekspresioniste dhe agresive të Izraelit në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Izraeli synon të krijojë një realitet të ri që e bën të pamundur realizimin e zgjidhjes me dy shtete dhe sovranitetin e Palestinës mbi territoret e saj”, tha zëdhënësi i Presidencës së Palestinës, Nabil Abu Rudeina në një deklaratë.

Administrata e Tel Avivit po synon rreth 30 familje palestineze në Kudsin Lindor të cilët u urdhëruan të dëbohen nga shtëpitë e tyre në favor të shoqatave të kolonëve hebrenj të ekstremit të djathtë, tha Abu Rudeina.

Ai gjithashtu i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë urgjentisht dhe të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për të parandaluar Izraelin dhe për të ndaluar shkeljet e tij.

Në nëntor, Gjykata Qendrore e Izraelit në Kuds refuzoi kërkesën për lejen e caktimit të kufijve të një grupi familjesh Palestineze që kishin jetuar në lagjen Silvan të Kudsit Lindor që nga viti 1963.

Sipas një raporti të publikuar nga Zyra Kombëtare për Luftimin e Vendbanimeve dhe Mbrojtjes së Tokave të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), vendimi i gjykatës izraelite nënkupton se 30 familje palestineze do të gjobiten me 200 mijë dollarë dhe të dëbohen nga shtëpitë e tyre.

Izraeli lë dhjetëra palestinezë pa shtëpi çdo vit

Autoritetet izraelite kanë kërcënuar të rrënojnë mijëra shtëpi që u përkasin palestinezëve në Kudsin Lindor, i cili është nën okupim, duke pretenduar se ato nuk posedojnë leje.

Sipas një raporti nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), autoritetet izraelite kanë rrënuar të paktën 90 shtëpi në Kudsin Lindor që nga fillimi i vitit 2020. Më shumë se 100 palestinezë mbetën të pastrehë.

Duke potencuar se nuk ka asnjë bazë ligjore për zbatimin e masave të tilla, palestinezët thonë se kjo është “pjesë e politikës izraelite të frikësimit dhe Judaizimit të qytetit”.

Komuna izraelite shpesh mbledh kostot e rrënimit nga njerëzit shtëpitë e të cilëve u shkatërruan.

Më shumë se 5.000 shtëpi që u përkasin palestinezëve në Kudsin Lindor janë rrënuar nga forcat izraelite që nga viti 1967, sipas burimeve palestineze.