Pa’lestina bën përgjegjës SHBA-në për su’lmet e iz’raelitëve në Bregun Perëndimor

Administrata palestineze ka mbajtur përgjegjës SHBA-në për sulmet e izraelitëve që uzurpojnë tokat e palestinezëve në Bregun Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, zëdhënësi i Presidencës palestineze dhe ministri i informacionit, Nabil Abu Rudeineh, ka bërë një deklaratë lidhur me çështjen.

Abu Rudeineh dënoi sulmet që Izraeli ka kryer ndaj qytezave Beit Furik dhe Huwara në afërsi të qytetit Nablus në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe masakrat që vazhdojnë në Gaza.

Duke tërhequr vëmendjen se në muajin e fundit në rajonin Nablus janë kryer “30 sulme terroriste” nga izraelitët që uzurpojnë tokat e palestinezëve, Abu Rudeineh tha: “Përgjegjësi i këtyre sulmeve është administrata e SHBA-së e cila jep mbështetje të plotë ndaj pushtuesve dhe pengon që ata të japin llogari para komunitetit ndërkombëtar”.

“Terrorizmi izraelit i kryer nga kolonët kundër popullit tonë dhe territoreve tona është rezultat i qëndrimit të SHBA-së që mbështet okupimin. Vendi ynë ka nevojë për një qëndrim të vendosur që shkon përtej pamjaftueshmërisë në çështjen e zbatimit të ligjit ndërkombëtar”, tha Abu Rudeineh.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA kishte njoftuar se izraelitët, të cilët uzurpojnë tokat palestineze, bastisën në orët e para të mëngjesit qytetin Beit Furik në lindje të Nablusit të pushtuar dhe i vunë flakën një shtëpie, një dyqani ushqimor, një automjeti, ndërsa në qytezën Huwara i vunë zjarrin një shtëpie dhe dy automjete.