Pakistani shënon 148-vjetorin e lindjes së liderit themelues Muhammad Ali Jinnah

Nëpërmjet përshëndetjeve me armë, ndryshimit solemn të rojeve dhe seminareve sot në Pakistan u shënua 148-vjetori i lindjes së liderit themelues Muhammad Ali Jinnah, raporton Anadolu.

I njohur gjerësisht si “Quaid-i-Azam” ose “udhëheqësi i madh”, Jinnah lindi më 25 dhjetor 1876 në qytetin port të Karaçit dhe udhëhoqi lëvizjen e muslimanëve të Indisë së bashkuar për krijimin e një atdheu të pavarur.

Lëvizja kulmoi me sukses me krijimin e Pakistanit më 14 gusht 1947 pas përfundimit të sundimit kolonial britanik.

Dita zbardhi me përshëndetje me armë në kryeqytetin federal dhe ato provinciale, e ndjekur nga një ceremoni të ndryshimit të gardës në mauzoleumin e Jinnahut në Karaçi, ku një kontingjent i Akademisë Ushtarake të Pakistanit mori detyrat e rojës.

Organizata të ndryshme politike dhe shoqërore mbajtën një sërë ceremonish për të nderuar liderin themelues të vendit, i cili vdiq në vitin 1948 në Karaçi.

Në mesazhet e tyre, presidenti Asif Ali Zardari dhe kryeministri Shehbaz Sharif u zotuan se do të ndjekin vizionin e Jinnahut për “unitetin, drejtësinë dhe barazinë”.

Zardari përsëriti angazhimin e tij për harmoninë fetare, respektin reciprok dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në vend.

Ndërkaq, Sharif tha se Jinnah ëndërronte për një Pakistan ku çdo qytetar të mund të jetonte me dinjitet, liri dhe mundësi të barabarta, pavarësisht nga besimi apo përkatësia etnike.