Mijëra anëtarë të partisë Xhemat-i Islami në Pakistan kanë protestuar në Karaçi kundër dhunës dhe masakrave ndaj muslimanëve Rohingya në Arakan të Mianmarit nga ushtria dhe budistët radikalë, raporton Anadolu Agency (AA).
Marshimi filloi nga mauzoleu i Muhammed Ali Xhinah, themeluesit të Pakistanit, ndërsa u finalizua në Tibet Center.
Siraxh-ul Hak, lideri i Xhemat-i Islamit, mbajti fjalim përmes një video-konference, duke i bërë thirrje “liderëve të botës t’i japin fund gjenocidit ndaj muslimanëve të Arakanit”.
Edhe protestuesit hapën pankarta përmes të cilave kërkuan t’i “jepet fund gjenocidit në Arakan”, ndërsa mbajtën edhe fotografi të muslimanëve të masakruar në Arakan.
Ndryshe, ambasadori i Mianmarit në Islamabad, Win Myint, dje u thirr në Ministrinë e Jashtme të Pakistanit për shkak të dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit.
Më herët, edhe Kryeministria e Pakistanit përmes një deklarate i dënoi masakrat ndaj muslimanëve të Arakanit, duke i quajtur ato si “gjenocid gjakftohtë dhe të kobshëm”.
Protesta në mbështetje të muslimanëve Rohingya janë organizuar edhe më herët në qytete të ndryshme të Pakistanit.
Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.
Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh.
OKB-ja njofton se mbi 290 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh, ndërsa dhjetra mijëra të tjerë vazhdojnë të presin në zona kufitare.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.
Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.