Prokuroria e Kosovës përmes një njoftimi për media sot ka bërë të ditur se do të fillojnë hetime edhe për disa persona të tjerë të përfshirë në përgjimet e publikuara javë më parë.
Ndërsa në bazë të inicialeve të përmendura janë edhe inicialet Z.P në postin e deputeti të Kuvendit të Kosovës për të cilin dyshohet për kryerjen e dy veprave penale. Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK dhe Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Në bazë të sigurimit të emrave të deputetëve të Kosovës, inicialet e vetme të tilla i takojnë deputetit dhe tani Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti.
Kurse i kontaktuar nga Indeksonline, Pajaziti ka mohuar të jetë i kyçur në një çështje të tillë.
“Unë nuk kam pasur asnjëherë asnjë njoftim asnjë ftesë as edhe si dëshmitar apo diçka që ka të bëjë me gjykatë”, ka thënë Pajaziti.
Gjithashtu sipas tij ai nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me çfarëdo lloj hetimi në gjykatë.
“Unë as nuk po e di se për çfarë po bëhet fjalë, nuk kam absolut asnjë informatë rreth kësaj se emri im mund të jetë pjesë e këtyre hetimeve”, ka shtuar Pajaziti.
Ai ka theksuar se nuk beson as të ketë qenë deputet në atë kohë të këtyre përgjimeve të publikuara së fundi duke theksuar se ai funksionon si deputet në dy mandatet e fundit.
“Asnjëherë nuk kam pasur kërkesë prej gjykatës që jam i dyshuar apo diçka e ngjashme. S’kam qenë i ballafaquar as edhe si dëshmitarë”, ka përfunduar Pajaziti.