Burimet, shkaqet dhe pasojat e saj në shoqëri[1] –
“Njeriu ideal nuk mund të jetë njeriu që përjashton aspekte të vetë qenies së tij, por njeriu që integron, njeriu që unifikon, respektivisht njeriu që u jep shans të gjitha aspekteve të njeriut të ofrojnë mundësitë shpirtërore dhe fizike sepse vetëm i tillë mund ta mposhtë agresivitetin dhe makutërinë e materializmit.”
“Çdo luftë është e egër.” (Gj. Shushnjiq)[2]
I. HYRJE
Bota bashkëkohore ka probleme të shumta dhe mjaft komplekse për nga natyra e tyre. Bollëku material dhe avancimi shkencor e tekniko-teknologjik i njerëzisë, përkundër shpresave e premtimeve, nuk i eliminoi problemet e shumta të natyrave të ndryshme, sikurse janë lëkundjet shoqërore, brengat, shumëzimi dhe shtrirja e krimit dhe dhunës në shumë segmente, kriza e moralit, kriza politike, ekonomike, egoizmi, paranoja etj. Zhvillimi aq i pritur material jo vetëm që nuk i zvogëloi problemet, por i rriti. Kulmi i këtij shqetësimi shoqëror, grupor e individual është pafeja ose ateizmi mes njerëzve, gjeneruesi kryesor i problemeve në shoqëri.
II. Ç’ËSHTË PAFEJA?
Pafeja apo ateizmi[3] është mosbesim në Zotin dhe shtyllat kryesore të besimit të cilat i ka urdhëruar Zoti; ateizëm është lajthitja e besimtarëve duke mohuar botën tjetër dhe duke u kufizuar vetëm në këtë botë. Në aspektin filozofik, “ateizmi është pikëpamje filozofike se nuk ka zot, përkatësisht se ekzistimi i tij nuk mund të provohet me shkaqe kritike”[4]. Ai është zbrazëti, vakum kundrejt besimit, plotnisë, pozitivtetit[5]. Evropa dhe Amerika, edhe pse e quajnë veten trashëgimtare të Kristianizmit, janë bërë fidanishte e ateizmit, duke e konsideruar kishën vetëm si traditë, kulturë, trashëgimi të së kaluarës, por jo edhe orientuese të politikës, ekonomisë, kulturës, jetës së përditshme etj. Ata ateizmin në shekujt e fundit e bënë ‘fe” zyrtare, orientues zyrtar, model të qeverisjes, të të menduarit, të prodhuarit. Vendet e tjera, të pafuqishme para paraqitjes ateiste agresive perëndimore, janë gjunjëzuar, kanë pranuar botëkuptimin e tyre, ose kanë formuar identitet të dyfishtë, një fytyrë para evro-perëndimorëve e një para fesë së vet, traditës së vet[6].
Bota muslimane gjithashtu është përfshirë nga ateizmi, thuajse në tërësi pason shabllonet evro-perëndimore të ateizmit, por në jetën private sillet si besimtar, viziton xhaminë, manifeston edhe ndonjë ritual fetar, por të gjitha këto pa ndikim shoqëror. Kemi edhe një pakicë tjetër brenda botës muslimane, që refuzon mënyrën e jetës nga shumica, është këmbëngulëse, por prej dekadash është duke kërkuar mënyrën e kundërvënies. Shpeshherë, në këtë përpjekje, lajthisin, duke rënë në ekstremin tjetër.
III. SHKAQET E LINDJES SË PAFESË
Të hulumtohet dhe analizohet pafeja dhe faktorët e lindjes së saj është punë komplekse dhe ekipore. Në botë janë kryer disa hulumtime të tilla, natyrisht të pjesshme, dhe kanë dhënë mendimin e tyre.
Studimet tregojnë se pafeja është e lashtë, por si dukuri masive, e elaboruar teoretikisht dhe e studiuar sistematikisht, është e dyqind viteve të fundit. Konsiderohet se pafeja gjatë historisë ka qenë problem i tërthortë ose i parëndësishëm në pikëpamje shoqërore dhe zakonisht është shfaqur në radhët e elitës, madje ishte privilegj i saj. Vetëm kohët e fundit (pas revolucionit francez borgjez) pafeja u bë dukuri masive dhe problem i rëndësishëm shoqëror[7].
Shkaqet për lindjen e pafesë janë të shumta, por disa nga ato shkaqe janë[8]:
1) Kisha evropiane
Doktrina kristiane dhe vetë kisha evropiane, herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi, ndikuan në paraqitjen dhe zhvillimin e ateizmit apo mohimit të ekzistimit të Zotit[9]. Me fjalë të tjera, shkaktarë të ateizmit në Evropë janë zyrtarët kishtarë, monakët dhe klerikët, të cilët fesë së vet i shtuan gjëra të ndryshme e kotësi, sikurse konsiderimi i Isait a.s. për bir të Zotit, bërja e mëkatit nga Eva dhe Adami dhe shfajësimi me sakrifikimin e Jezuit apo kryqëzimi i Jezu Krishtit, pastaj krijimi i gjithësisë sipas Biblës etj. Zbulimi i disa shpikjeve si makina e avullit, zbulimi i energjisë elektrike dhe përçimit të saj, zbulimi i telefonit e të tjera dhe indiferenca e kishës ndaj këtyre zbulimeve, madje ndëshkimi i rëndë i shkencëtarëve dhe të tjerëve të cilët i përkrahnin shkencëtarët (në mesjetë), solli deri te konfliktet e rënda midis shkencës dhe kishës, e cila para opinionit shkoi në dëm të kishës sepse kishtarët merreshin me gjëra të kota e prapangecje[10]. Këtu mori hov ateizmi dhe kritika e rreptë ndaj çdo gjëje fetare, kishtare, duke vënë themelet e ateizmit shkencor apo ateizmit të shekujve modernë.
2) Dhuna dhe eksploatimi i botës kapitaliste
Evropa pas shfaqjes së humanizmit dhe renesancës pjesërisht u çlirua nga pushteti kishtar dhe gjeti prehje në zbulimet e reja shkencore, filloi të jepet pas prodhimit dhe fabrikave dhe ta braktiste bujqësinë dhe zejet e vjetra. Feudalët e mëdhenj u shndërruan në fabrikantë të mëdhenj, duke eksploatuar resurse të shumta tokësore, por duke shfrytëzuar edhe fuqinë punëtore me paga të vogla. Në këtë mënyrë u krijuan shtresat e para shoqërore në kohën moderne, të pasurit në një anë dhe të varfrit në anën tjetër. Imituese sidomos ishte heshtja e kishës dhe kishtarëve përballë këtyre anomalive shoqërore. Edhe kjo gjendje ndikoi në përhapjen dhe forcimin e ateizmit në Evropë e botë, sepse feja nuk kishte zgjidhje të mira dhe humane për njeriun dhe problemet e tij[11].
3) Lindja e rrymave ekonomike ateiste
Njëri prej faktorëve kryesorë në përhapjen e ateizmit ka qenë formimi i disa rrymave ekonomike, me natyrë ateiste, sidomos formimi i komunizmit, themelues i të cilit drejtim ishte Karl Marksi (vd. 1883). Edhe pse drejtim ekonomik, edhe pse synim kryesor kishte ekonominë dhe çlirimin nga dhuna kapitaliste, ai pranoi karakteristika ideologjike. Ata pohuan se ekziston vetëm bota materiale, kurse shpirti e bota tjetër janë imagjinatë e fesë dhe të pasurve. Ata e trilluan fenë për të siguruar besimin, dëlirësinë dhe sinqeritetin e njerëzve, ndërsa për interesa të kapitalizmit[12].
Kjo rrymë, e komunizmit, socializmit, u bë vala e re e ateizmit, e cila gjeti simpati te shtresa e varfër. Ateizmi me emërtime të ndryshme nuk mbeti vetëm aspekti ekonomik i botës, por edhe shpirtëror, në negativitet, duke shpjeguar botën dhe të gjitha çështjet që tundojnë njerëzinë. Përveç metodës së joshjes e mashtrimit, ata përdorën dhunën. Janë të njohura regjimet ateiste në Rusi, Shqipëri, Jugosllavi, Kubë e vende të tjera, ku më shumë njerëz vdiqën nga dhuna e pasluftës sesa nga vetë lufta. Kjo valë e së keqes përfshiu edhe vendet muslimane, si Egjiptin, Libinë, Irakun, Tunizinë etj.
IV. Preokupimi me jetën
Ateizmi e bëri njeriun të plotfuqishëm, edhe urdhërdhënës edhe qytetar, edhe komandant edhe ushtar. Ai i dha rolin e hyjnores me qëllim të zëvendësimit të Zotit absolut, por ia mori rolin e njerëzores, duke e bërë një hiç. Ai u preokupua me botën dhe kënaqësitë e saj dhe harroi kush është, nga është, përse është, ku do të shkojë pas gjithë kësaj. Njeriu në vrap pas standardit më të mirë harroi vlerat elementare. Edhe femra si pjesë e familjes hyri në këtë vorbull problemesh. Në emër të barazisë me mashkullin (me të cilin natyrisht nuk është i barabartë) ajo braktisi familjen, fëmijën, femëroren. Ajo doli në fabrikë, por e humbi fëmijën; ajo doli në zyrë, por humbi burrin; ajo fitoi më shumë, por u bë mall konsumi dhe objekt reklame. Koha e lirë mungon, koha për prindërit nuk ekziston, koha për fëmijët ka ikur qysh moti. Zakonisht, ligjet serioze parashohin që mes dy të këqijave të zgjidhet e keqja më e vogël, e në rastin e kohës së ateizmit, njeriu dhe femra zgjodhën të keqen më të madhe.
Njeriu bashkëkohor nuk ka kohë për të menduar, për të gjetur përgjigje. Feja mbeti gjësend privat, për ndonjë vajtim a gëzim, për ndonjë ceremoni lindjeje apo vdekjeje. Feja nuk ka mendim për jetën, prodhimin, konsumimin etj.
V. Jeta e re dhe sfidat e qytetërimit
Shkencat e kësaj bote i hapën dyert njeriut drejt luksit, bollëkut, komoditetit, konsumerizmit, që manifestohet në mjetet e komunikimit, mjetet e transportit, kushtet e banimit, pastaj të veshmbathjes, ushqimit etj.. Restorantet, atelietë e ndryshme për art, muzikë, sporte marciale janë kapitull më vete. Të gjitha këto imponuan një mënyrë tjetër, ndryshe për të menduarit, të perceptuarit e jetës, por edhe konsumimit të kohës, parave dhe të jetuarit sipas favoreve të kohës. Kjo mënyrë e jetës çoi në shfrenim, egoizëm, madje edhe në narcisoizëm.
Edhe pse feja urdhëron jetën e matur, pa shfrenim dhe shkapërderdhje, edhe pse ndalon pijet narkotike, prostitucionin dhe fitimin e padinjitetshëm, këto parime fetare u konsideruan nga ateizmi dhe ateistët si pranga pengojnë lirinë individuale, kolektive, shoqërore, si pranga që pengojnë lirinë e lëvizjes, të shprehurit, shfrenimit. Mohojnë botën tjetër, madje me ironi i kundërvihen me “pavlerat’ e kësaj bote.
VI. Lidhja e zhvillimit material me ateizmin
Njëri nga shkaqet që i nxiti njerëzit në ateizëm është edhe lidhja e ateizmit me forcën materiale dhe përparimin shoqëror. Njerëzit konsideronin se Evropa filloi të zhvillohet vetëm pas largimit nga kisha kristiane. Gjithashtu mendonin se Rusia u zhvillua vetëm pasi e largoi fenë nga vetja. Në anën tjetër, vendet që konsumonin fenë ishin të dobëta, të varfra, pa zhvillim shkencor e shoqëror. Duke marrë për shembull Evropën, edhe vendet muslimane mësynë braktisjen e fesë islame dhe përvetësimin e shkencës pa Zot. Ata harruan se feja islame nuk kishte asgjë të përbashkët me fenë kristiane. Nëse kisha kristiane ka penguar mësimin, feja islame ka ngritur mësimin në urdhrin e parë (ikre’ …) dhe urdhrin kryesor. E gjithë arritja nga fillimi i fesë islame e deri në shekullin XII ishte pikërisht nga zbatimi i kërkesave të fesë islame. Braktisja e fesë islame, zbehja e fesë, rezultoi edhe me zbehjen e mësimit, zbulimeve të reja.
VII. Pasojat negative mbi individin dhe shoqërinë
Drejtimi i ateizmit pa dyshim do të lërë pasoja të rënda mbi njerëzit, mjedisin përreth dhe rregullimin shoqëror dhe shtetëror, duke mohuar ekzistimin e Zotit. Një nga shenjat e para të ateizmit është brenga, dilema, mosrehatia dhe jostabiliteti i përshpirtshëm. Kjo ndodh sepse te njeriu shtrohen disa pyetje që njeriu i ka në shpirtin e tij, edhe pse ato ndonjëherë në këtë botë janë shpërfillur. Por, sëmundjet, fatkeqësitë natyrore, tragjeditë na çojnë drejt pyetjeve: Prej nga jemi? Përse jemi të krijuar? Ku dhe kah po ecim? Nga do të shkojmë? Ku pas vdekjes?
Përgjigjen për cakun dhe synimin e ekzistencës sonë nuk duhet ta kërkojmë nga ateizmi sepse ai nuk i ofroi njeriut më shumë se disa iluzione dhe një drejtësi për sy e faqe. Qëndrimi në ateizëm, si stadi jonjerëzor, vetëm sa do ta rrisë brengosjen, shqetësimin, frikën. Njeriu i kapur nga kthetrat e ateizmit nuk do të gjejë kohë t’u përgjigjet sfidave dhe përparimit të qytetërimit modern dhe pasmodern dhe nuk do të arrijë t’i shmanget shpërfilljes dhe neglizhencës ndaj realitetit fetar dhe shoqëror.
VIII. Individualizmi dhe egoizmi
Orientimi i njeriut drejt individualizmit[13] dhe egoizmit[14] ka qenë pasojë e domosdoshme e jorehatisë shpirtërore dhe frikës nga e ardhmja. Me këtë nënkuptojmë orientimin e njeriut drejt sendërtimit të interesave të ngushta vetjake dhe mosinteresimit për të tjerët. Feja, e cila është gjithnjë forca integruese mes njerëzve, është braktisur dhe njerëzit kanë braktisur edhe njëri-tjetrin. I sëmuri, i varfri, i nevojshmi janë lënë jashtë kujdesit njerëzor. Ftohja e raporteve ndërnjerëzore dhe shikimi i interesave vetëm për vete e ka çuar njerëzinë në qorrsokak.
IX. Humbja e ekuilibrit
Ateizmi si ideologji e majtë edukimin e njeriut e bën njëanshëm; edukon vetëm fizikisht e jo edhe shpirtërisht. Njeriu ateist posedon një dresurë edukimi, një shtirje si i edukuar, por jo edukim, sepse edukimi është produkt i shpirtit e besimit, ndërsa ateistit i mungon shpirti. Ateisti në vend të besimit ngre kultin e njeriut. Rrënon besimin në Zotin dhe ngre njeriun, vetveten. Ai natyrisht është i ngurtë, i vrazhdë, pa ndjenja, pa shpirt, pa kufij në veprim, duke u bërë objekt i pasionit, instinktit. E tërë ajo që u duket e përshpirtshme dhe edukative është reflektim i traditës dhe ambientit, por jo edhe reflektim i brendshëm. Sipas tyre, njeriu në botë është i rastit, të cilin puna e bëri të tillë, duke evoluuar nga krijesa e dobët dhe e thjeshtë në krijesë të fuqishme e të ndërlikuar. Ai i jep llogari vetes sepse nuk e njeh autoritetin e Krijuesit. Ligjet e Zotit i konsideron të trilluara, kurse ligjet njerëzore i hyjnizon. Rezultati nuk do koment, njeriu është totalisht i humbur, i çekuilibruar, i braktisur, pa fuqi, viktimë e nepsit e shfrenimit, lakmisë për shumësi dhe dominim.
X. Rrënimi i bashkësisë familjare
Ateizmi rrënon personalitetin e njeriut. Ai rrënon anën shpirtërore tek ai dhe me këtë rrënon edhe shoqërinë në përmasa të mëdha. Individët përbëjnë familjen, kurse familjet shoqërinë dhe nëse individët e shumtë dhe familjet janë të prishura, edhe shoqëria do të jetë e prishur. Shikoni vetëm jetën e një çifti që jeton në mënyrë të egër, që bashkëjeton! Ata pa përgjegjësi morale e materiale për njëri-tjetrin, nesër e shkëpusin këtë jetë, kurse viktimë mund të jenë fëmijët eventualë, të cilët pa dëshirën e tyre erdhën në këtë botë dhe gjithë pjetën e tyre e kalojnë pa prindër, pa ngrohje prindërore, të përbuzur e përçmuar dhe viktimë e mundshme e gabimeve të reja.
XI. Kriminaliteti politik
Ateizmi vetvetiu nuk domethënë dhunë, eksploatim, joliri e të tjera, por natyra dhe karakteri i tij dhe veprimet që janë bërë në emër të tij janë në pajtim të plotë me ideologjinë përjashtuese të ateizmit[15].
Pasojat e ateizmit mbase janë më të theksuara në fushën e politikës, në politikën botërore dhe në raportet ndërshtetërore. Përse? Sepse natyra e ateizmit është e vrazhdë dhe e ngurtë kundrejt vlerave të tjera. Kjo shihet në sjelljet e të mëdhenjve karshi të vegjëlve. Bota muslimane gjatë shekujve të fundit, edhe në këto dekada, po e përjeton në lëkurën e vet pikërisht këtë agresivitet e poshtërsi. Muslimanët pengohen në politikën e tyre, në ekonominë e tyre, në kulturën e tyre, në fenë e tyre. Ata medoemos duhet t’u nënshtrohen politikave të eksploatuesve botërorë. Çdo kundërshtim ndëshkohet me sanksione (siç po i ndodh Turqisë gjatë 2016-1017) apo edhe me kërcënime ushtarake ose me vetë sulme ushtarake. Me zbulimin e armëve për shkatërrim masiv, ateizmi fitoi në forcë, sepse çdo kundërvënie ndaj tyre rrit mundësinë e shkatërrimit në masë. Mungesa e virtyteve morale, ushqimi i dhunës dhe padrejtësisë sjell gjendje të re: ikjen nga realiteti nëpërmjet gabimeve të reja: drogave, alkoolit, prostitucionit, bixhozit e degjenerimeve të ndryshme, duke u asfiksuar në shumësinë e lakmive dhe pasioneve. E gjithë kjo e rrit egoizmin dhe lakminë për vetveten dhe urrejtjen e antipatinë ndaj të tjerëve.
XII. Përfundim
Ateizmi është padije, kurse padija është ndër shkaqet kryesore të pafesë, mosfesë apo indiferencës ndaj fesë. Këtë gjendje e ndihmon edhe theksimi i vazhdueshëm dhe këmbëngulës i mangësive interpretuese fetare dhe i hierarkisë fetare, por edhe heshtja e anëve pozitive të fesë nëpërmjet mediave elektronike, vizive apo të shkruara. Kjo mënyrë e prezantimit të fesë krijon perceptime negative dhe të shtrembëruara për fenë apo organizatën e fesë, për besimtarët dhe bashkësinë në tërësi. Këto negativitete i ndihmojnë edhe lëvizjet e shumta jashtë organizatës fetare, të cilën disa qarqe e quajnë religjiozitet pasmodern, i cili karakterizohet me ‘unin” e njeriut, i bazuar në suksesin vetjak dhe suksesin e nismave vetjake.
Ka edhe faktorë të tjerë të rënies, por edhe të ngritjes fetare në shoqëri. Edhe pse në këtë rast u fol për ateizmin, si rrugëdalje nga ky para/ambis, pa dyshim, është lutja (nëpërmjet namazit, agjërimit, zekatit, haxhit, bamirësisë, bujarisë, ndihmës etj.) ditore, javore e xhumasë, e Bajrameve e të tjera, pastaj bindja, dorëzimi ndaj ligjeve të Zotit, të cilat më së shumti po i mungojnë bashkësisë sonë, shoqërisë sonë.
Krejt në fund nuk duhet harruar se njeriu dëshmon për Zotin në mënyrë të dyfishtë: me pranimin dhe me refuzimin e Tij. Derisa njeriu e mohon Zotin, ai nuk e braktis Atë. Rebelimi kundër Zotit është i mundur vetëm me parashtrimin e ekzistimit të Tij, përndryshe do të ishte absurd lufta kundër diçkaje që nuk ekziston. Besimi refuzohet me besim dhe jo ndryshe. Njëri beson se ka Zot, ndërsa tjetri beson se nuk ka Zot, por që të dy besojnë, njëri në ekzistimin e Zotit e tjetri në mosekzistimin e Zotit[16]. Shpërblimi do të jetë në adresë të atyre që besuan në ekzistimin e Zotit, që falënderuan për jetën dhe mundësinë e të ekzistuarit të tyre[17].
XIII. Literuatura
1) Ali Pajaziti, Fjalori i sociologjisë, Shkup, 2009.
2) Djuro Šušnji?, Religija, II, Beoghrad, 1998.
3) http://www.enciklopedija.hr/natuknica.aspx?id=17170.
4) http://www.novizivot.net/2015/09/19/katastrofalne-posljedice-ateizma-komunizma-i-darvinizma-na-ljudsko-drustvo/.
5) https://bs.wikipedia.org/wiki/Ateizam.
6) https://bs.wikipedia.org/wiki/Ateizam.
7) Milje Škvorac, Vjera i nevjera, në: https://www.bitno.net/academicus/filozofija-academicus/bit-i-povijest-ateizma-i-osam-motiva-koji-do-njega-dovode/.
8) Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998.
9) Rešid Hafizovi?, Imanski šarti u svjetlu klasi?nog muslimanskog misljenja, Sarajevë, 1427 h./2006.
[1] Shkrimi nuk paraqet një qasje komplete, rigorizisht shkencore, por një përsiatje rasti, duke analizuar ca pikëpamje, ndaj edhe pretendimet e shkrimit nuk janë që të ofrojë një qasje të plotë, por të hapë temën e ateizmit, e cila disi po kalon në heshtje ndonëse me shumë ndikim edhe në kohën tonë, nën emra të ndryshëm, si laicizëm, shekullarizëm etj.
[2] Djuro Šušnji?, Religija, II, Beograd, 1998, fq. 376.
[3] Ateizam, në: https://bs.wikipedia.org/wiki/Ateizam.
[4] Sipas: Milje Škvorac, Vjera i nevjera, në: https://www.bitno.net/academicus/filozofija-academicus/bit-i-povijest-ateizma-i-osam-motiva-koji-do-njega-dovode/.
[5] Milje Škvorac, po aty.
[6] Shih: Ali Pajaziti, Fjalori i sociologjisë, Shkup, 2009, fq. 53.
[7] Shih: Djuro Šušnji?, po aty, fq. 112.
[8] Shih gjerësisht për motivet e pafesë: Milje Škvorac, Vjera i nevjera, po aty.
[9] Askush nuk është ateist nga lindja. Askush në mënyrë psikosomatike nuk është ateist. Në ateizëm ndikojnë shumë faktorë, sikurse edhe ai fiziologjik, biologjik e sidomos ai kulturor, trashëgimor i mjedisit ku lind, jeton e vepron.
[10] Ndër të tjera ateizmi është pasojë e mungesës së argumenteve materiale për argumentimin e Zotit, çështja e së keqes etj. Shih: https://bs.wikipedia.org/wiki/Ateizam.
[11] Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998.
[12] Djuro Šušnji?, po aty, fq. 11-186.
[13] Individualizmi është mënyrë e të menduarit rreth lidhjeve të njerëzve ndaj sistemeve sociale dhe të tjera dhe rreth vetë natyrës së sistemeve sociale dhe më gjerë. Individualizmi promovon epërsinë e interesave individuale ndaj atyre shoqërore. Individualizëm është edhe trajtimi i individit dhe i çështjeve të tij si të ndryshme prej grupit social dhe probleme të tij. Shih: Ali Pajaziti, po aty, fq. 260.
[14] Egoizmi është gjendje e vetëmohimit të madh, vetëdashurisë dhe ngritjes së vetvetes. Shikimi i gjërave nga këndi vetjak, përkatësisht orientimi i gjërave drejt vetes, duke e imagjinuar veten si epiqendër të gjithësisë. Nënshtrimi i të gjitha të vërtetave dhe vlerave gjykimit vetjak dhe interesave vetjake. E kundërta e egoizmit është altruizmi. Shih edhe: http://www.enciklopedija.hr/natuknica.aspx?id=17170.
[15] Sipas: http://www.novizivot.net/2015/09/19/katastrofalne-posljedice-ateizma-komunizma-i-darvinizma-na-ljudsko-drustvo/.
[16] Djuro Šušnji?, po aty, fq. 125.
[17] Shih elaborim interesant: Rešid Hafizovi?, Imanski šarti u svjetlu klasi?nog muslimanskog misljenja, Sarajevë, 1427 h./2006, fq. 21 e tutje.