Padija dhe padrejtësia burime të të gjitha gabimeve…

Hoxhë Justinian Topulli

Allahu thotë në Kuran:
إِنَّا عَرَضۡنَا ٱلۡأَمَانَةَ عَلَى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ وَٱلۡجِبَالِ فَأَبَيۡنَ أَن يَحۡمِلۡنَهَا وَأَشۡفَقۡنَ
مِنۡهَا وَحَمَلَهَا ٱلۡإِنسَٰنُۖ إِنَّهُۥ كَانَ ظَلُومٗا جَهُولٗا
“Ne ua ofruam Amanetin qiejve, tokës dhe maleve, por nuk pranuan ta merrnin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij. E mori njeriu. Padyshim, ai qe i padrejtë dhe i paditur.”
Të gjitha gabimet dhe fajet njerëzore burojnë nga padija dhe padrejtësia. Për shkak të paditurisë, njeriu i hyn në hak vetes dhe të tjerëve, për shkak të padijes, ai i hyn në hak edhe Krijuesit të tij. Njeriu lind i paditur, siç thotë Allahu në Kuran:
وَٱللَّهُ أَخۡرَجَكُم ‌مِّنۢ ‌بُطُونِ أُمَّهَٰتِكُمۡ لَا تَعۡلَمُونَ شَيۡـٔٗا
“Allahu iu nxori nga barqet e nënave tuaja dhe ju nuk dinit asgjë.”,
ndaj dhe ai është i prirë për të rënë në gabime dhe faje. Kështu që dija është një nga gjërat që e ruan njeriun më së shumti nga fajet dhe gabimet. Prandaj, Allahu thotë në Kuran:
إِنَّمَا يَخۡشَى ٱللَّهَ ‌مِنۡ ‌عِبَادِهِ ‌ٱلۡعُلَمَٰٓؤُاْۗ
“Përnjëmend, Allahun e kanë frikë vetëm të diturit.”
Ndërsa e dyta është mungesa e të qenit i drejtë me veten, me të tjerët dhe me Zotin. Njeriu lind si qenie me ego, sepse pa të, ai nuk mund të kuptojë asgjë jashtë tij, por nëse ego nuk mbahet nën kontroll, ajo prodhon të gjitha ligësitë e mundshme. Mund të mos jesh i paditur, por egoizmi, tekat dhe dashuria ndaj vetes është e atillë, që të pengon të jesh i drejtë me të tjerët dhe me veten.
Fjala që përdoret në arabisht dhe në Kuran për padrejtësinë është fjala ‘dhulm” (zullum), e cila në etimologjinë e saj do të thotë errësirë, që do të thotë se padrejtësia buron pikërisht nga errësimi i shpirtit, dhe kjo errësirë mund të vijë nga padija, ose pikërisht nga ndjenjat që prodhon egoizmi, ndaj dhe Zoti e përmendi të parin “errësimin” (padrejtësinë), sepse nga errësimi i mendjes dhe i shpirtit buron çdo ligësi dhe gabim.

Hoxhë Justinian Topulli