Tash e disa vite, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur deklaratat se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid të kryer gjatë luftës, në vitin 1998 dhe 1999. Një deklaratë të tillë, ai së fundmi e ka ripërsëritur, përmes rrjetit social Facebook, duke përkujtuar 18 vjetorin e masakrave ndaj civilëve në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e Vjetër, të kryera nga forcat serbe.
Presidenti Thaçi ka theksuar se “populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojnë këto krime dhe shumë shpejt do ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë”.
Megjithatë, deri më tash, asnjëherë nuk është saktësuar se para cilës gjykatë do të ngrihej një padi e tillë.
Zyrtarët e kabinetit të presidentit Thaçi, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë dhënë asnjë sqarim se kur dhe në cilën gjykatë ndërkombëtare do ta ngrisë shteti i Kosovës padinë ndaj Serbisë.
Por, Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar mundësinë në parim që Kosova mund ta ushtrojë mekanizmin e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkundër se për një gjë të tillë ekzistojnë pengesa të natyrës juridike.
Kjo gjykatë, siç thotë profesor Hoti, është trup i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe në parim, para kësaj gjykate mund të parashtrojnë padi vetëm shtetet që kanë statusin e anëtarit të Kombeve të Bashkuara.
“Megjithatë, ekziston një hapësirë e ngushtuar juridike, që për shtetet ose entitetet që nuk janë anëtare të OKB-së, por që marrin mbi vete të respektojnë ose t’i pranojnë dispozitat nga statuti, atëherë edhe këtyre entiteteve u bëhet e mundur një gjë e tillë. Prandaj, mendoj që Kosova do të kishte mundësinë, sipas paralajmërimeve të presidentit, që ta ndiqte këtë rrugë dhe ta padisë Serbinë për të bëmat e saj në Kosovë”.
Në anën tjetër, organizatat, të cilat janë marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, vlerësojnë se institucionet e Kosovës, nuk kanë bërë mjaftueshëm për mbledhjen dhe dokumentimin e fakteve për krimet e kryera nga forca serbe në Kosovë, të cilat do ta bënin efektive padinë eventuale të shtetit të Kosovës ndaj Serbisë për gjenocid.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në disa raste kësaj organizate i janë drejtuar prokurorë të ndryshëm për raste të veçanta, por nga institucionet e Kosovës nuk ka pasur kërkesa lidhur me materialet që posedon fondi.
“Unë nuk kam ndonjë informacion që institucionet e Kosovës kanë mbledhur fakte. Sigurisht që prokuroritë kanë mbledhur fakte për raste të caktuara, por nuk e besoj që janë mbledhur faktet për të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe të jenë sistematizuar ato. E di që para më shumë se 4 vjet është themeluar edhe Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës. Disa publikime që i kanë pasur ata nuk më bëjnë të besoj që janë mbledhur faktet në mënyrë të detajuar, të cilat pastaj do ta krijonin lëndën, respektivisht, padinë ndaj Serbisë për gjenocid”.
Profesor Hoti, thekson se provat për krimet e forcave serbe në Kosovë do të duhej mbledhur që moti. Por, megjithatë, sipas tij, krimet e tilla, nuk vjetrohen asnjëherë.
“Sa më afër periudhës kur janë zhvilluar luftimet, provat do të ishin më të besueshme, më të prekshme dhe më vizuale. Ndërkohë që, përtej rrethanave praktike ose politike, mendoj që edhe tani nuk është vonë, për faktin që veprimet që inkriminojnë një shtet që të ketë kryer gjenocid ose krime të luftës, kundër paqes apo kundër të drejtave të njeriut, nuk vjetërsohen asnjëherë. Pra, për to mund të ngritet ose mund të iniciohet proces gjyqësor qoftë edhe pas 40, 50 ose 100 vjetësh, kur të jenë zbuluar rrethanat e tilla”.
Blakaj, shpreh mendimin, se pavarësisht se ngre ose jo padi Kosova ndaj Serbisë, faktet për krimet e forcave të saj në Kosovë, duhet mbledhur gjithsesi.
“Faktet është dashur të mblidhen më herët, por edhe tani nuk është vonë që të mblidhen ato. Me kalimin e kohës, kujtimet e dëshmitarëve okularë zbehen. Për fat të keq, një numër i tyre më nuk janë në jetë. Pastaj, dokumentacioni gjithashtu zhduket, mbetet në sirtarë të ndryshëm dhe siç kalon koha, është më vështirë të mblidhe këto fakte dhe të kompletohen. Mirëpo, pa marrë parasysh për çfarë arsye, ato fakte duhet të mblidhen, sepse, fundja, në të ardhmen ato duhet ta krijojnë një lloj kujtese kolektive për të kaluarën që ka ndodhur në Kosovë”.
Ndryshe, autoritetet e Beogradit kanë reaguar lidhur me deklaratat e presidentit Thaçi, se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid, duke theksuar se këto janë përpjekje për të frikësuar serbët dhe se në Kosovë nuk ka pasur gjenocid.