Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli i ka demantuar zërat për kandidim të mundshëm për kryetar të Komunës së Prishtinës, në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ish presidenti i vendit e ka quajtur gënjeshtër të kulluar këtë lajm, i cila sipas tij, ka për qëllim dëmtimin e AKR-së.
“Kurrë në jetë nuk është diskutuar ky opsion. Kjo është gënjeshtër e kulluar, e ndërtuar prej njerëzve qëllim këqij dhe prej gazetarëve jo profesionist. Më këto lajmë ata po duan të dëmtojnë jo vetëm AKR-në, por edhe personalitetin tim”, ka thënë Pacolli në një prononcim për Indeksonline.
Pacolli thotë se kundërshtarët e tij politikë po i frikësohen rritjes se AKR-së, duke parë se ai është në gjendje të tubojë mbi 20 mijë njerëz.
“E kanë parë se AKR po rritet dita ditës. Kjo siç duket ata i ka frikësuar shumë. Prandaj nxjerrin këso lajmë të trilluara dhe të cilat kanë vetëm një qëllim: Dëmtimin e AKR-së”, ka thënë Pacolli.