Në rrjedhën e shpalosjes së programit Ekonomik të Aleancës Kosova e Re për Zhvillim dhe Punësim, Presidenti i i partisë, z.Behgjet Pacolli ka mbajtur debat për zhvillim ekonomik, me qytetarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër.
Në prani të një qindra bashkatdhetarëve tanë nga diaspora, Presidenti Pacolli në Cyrih ka folur për gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë. Ai me theks të veçantë është ndalur tek buxheti i vitit 2017 për të cilin ka pasur një numër kritikash. Pacolli me këtë rast i ka përmendur shtetet e rajonit të cilat dallojnë shumë për nga buxheti vjetor i planifikuar për qytetarët e tyre, duke shtuar se Kosova është rasti i parë në botë ku shteti ka kërkuar kredi për ta shtuar buxhetin.
“Në Kosovë është krijuar një situatë ku dominon padrejtësia, e cila pastaj reflektohet në familje, në punë, edhe në institucione dhe në çdo vend tjetër. Vetëm me punë shtohet buxheti”, ka thënë Pacolli.
Duke folur për programin e Aleancës Kosova e Re , Pacolli ka thënë se AKR-ja para se të ndërtojë programin e partisë, e ka studiuar në detaje situatën në terren, ku është bërë identifikimi i problemeve, po ashtu është menduar mirë se si të zgjidhen ato, ne e kemi ndërtuar programin duke u bazuar në punën tonë në terren dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarë”, ka thënë numri një i AKR-së.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re para diasporës shqiptare në Zvicër, ka folur edhe për mungesë të investimeve në Kosovë, duke i përmendur kështu të gjitha pengesat në të cilat investitorët e huaj kanë hasur në Kosovë. Pacolli ka thënë se këta investitorë janë penguar nga njerëzit që udhëheqin me vendin dhe nuk ka mundur të bëhet asgjë pasi që sipas tij, edhe gjyqësia në vend është krejtësisht e ndikuar nga njerëz të cilët manipulojnë me Kosovën dhe qytetarët e saj. “Vetëm me zhvillim ekonomik dhe ndërrim të qeverisë mund të ketë ndryshime pozitive në Kosovë”, ka thënë Pacolli.
Më pas në këtë debat lideri i AKR-së, ka vazhduar bashkëbisedimin me të pranishmit, të cilët treguan interesim në shtjellimin e pikave programore të Aleancës Kosova e Re, e veçanërisht ato të sektorit Ekonomik.