Pa u bë njeri s’mund të jesh as shqiptar as besimtar i mirë!

KIm Mehmeti

Më vjen për të vjell kur shoh se te ne edhe bamirësia është shndërruar në biznes që të bënë pasanik dhe si trimat e lagjeve tona që edhe të huajën e grabisin dhe e shpallin të veten, i varrosim me nderime dhe i barazojmë me heronjtë tanë që çdo gjë që kishin ia dhanë shqiptarisë.
Dhe më kap një marramendje sa herë që dëgjoj t’i këndohet dashurisë sonë ndaj tokës ku kemi lindur, e ndërkohë lumenjtë, bregdetin, fushat dhe livadhet… tona janë shndërruar në kazanë plehrash, ku e kallim dhe e djegim llomin që na ka mbuluar, e tymi i të cilave zjarre i mbulon vendbanimet tona duke i bërë ato të duken si Gaza, të cilën të papenguar, e rrënojnë dhe bombardojnë izraelitët.
Më duket shumë gënjeshtare dhe më mërzitë mburrja jonë me besën, moralin, ndershmërinë… që na dallon, sepse e di që njeriu nuk lëvdohet me atë që e ka, e as e veçon atë që e stolisë dukjen e tij, por vuan për të munguarat dhe për ato që ëndërron t’i ketë.
Më shkakton turbullira të padurueshme kur shoh se si shumica prej nesh, ende nuk e kanë kuptuar se parakusht për të qenë shqiptar i vyer dhe i pëlqyer i Zotit, është të jesh Njeri i mirë.
Dhe është shumë e lehtë për ta kuptuar nëse e ke plotësuar këtë parakusht: nëse ndjen bezdi ndaj sjelljes së shëmtuar të cilitdo njeriu, ti je bërë e mira e vetvetes dhe e vyeshmja e shqiptarisë!

Nga: Kim Mehmeti