Pa rishikim të buxhetit, punëtorët s’do t’i marrin nga 170 euro

Asnjë masë e Pakos Emergjente Fiskale nuk do të zbatohet pa u rishikuar buxheti i këtij viti në Kuvendin e Kosovës.

Po kështu edhe masa ‘3a’ e kësaj pakoje për punëtorët e sektorit privat që janë punonjës të bizneseve të prekura nga pandemia, nuk do të mund t’i marrin pagat nga 170 euro për muajin maj pa u rishikuar ky buxhet.

Kështu ka thënë për KosovaPress këshilltari i ministres së Financave, Lulëzim Krasniqi, i cili beson se më së largu deri në fillim të javës së ardhshme, Qeveria do ta procedojë në Kuvend ligjin për rishikim të buxhetit.

Për shkak të mos rialokimit të mjeteve, Krasniqi theksoi se pa u rishikuar buxheti, edhe një pjesë tjetër e punëtorëve që nuk kanë arritur t’i marrin pagat as për majin prill nga 170 euro nuk do të mund t’i kenë në kontot e tyre.

“Ekzekutimi për aq sa ka pasur fonde në dispozicion janë ekzekutuar nga 170 euro. Pjesa tjetër pritet tash pas rishikimit të buxhetit. Në momentin që ndodhë rishikimi i buxhetit, ndahen fondet për mbulim të Pakos emergjente dhe do të vazhdojë menjëherë ekzekutimi i pagave të tjera”, thotë Krasniqi.