“Pa pritje të mëdha” nga takimi në Washington

Përmes organizimit të takimit të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja synon ta dërgoë porosinë se është e përkushtuar për stabilitetin dhe mirëqenien e Ballkanit, ka deklaruar për “Zërin e Amerikës” Luke Coffey, ekspert i fondacionit konservator amerikan “Heritage”, teksa ka shtuar se nuk beson që do të flitet rreth ndryshimit të kufijve dhe se Richard Grenelli është ndërmjetësues e jo “hartograf”.

Coffey, njohës i rrjedhave në Ballkan, ka deklaruar se SHBA-ja në këtë mënyrë po e dëshmon se është e vetëdijshme që rruga e vetme drejt stabilitetit është ajo e normalizimit të raporteve dhe e arritjes së progresit ekonomik.

“Vetë mbajtja e këtij takimi është njëfarë arritjeje. E kemi parë se sa e zorshme mund të jetë një gjë e tillë, duke pasur parasysh që takimi paraprak u anulua. Nuk ka ndonjë pritje të madhe rreth këtij takimi. Shpresoj që ky të jetë njëri prej shumë takimeve, në të cilat SHBA-ja do të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian”, ka thënë Coffey.
Ai ka thënë se pas anulimit të takimit të mëparshëm, ka qenë i shqetësuar se pjesëmarrësit mund të heqin dorë prej tërë procesit.

I pyetur nëse krahas çështjeve ekonomike, rendi i ditës do të mund të zgjerohej, Coffey ka thënë se beson që fokusi kryesor do të jetë tek ekonomia dhe se Shtëpisë së Bardhë i përshtatet të merret me atë çështje.

Por, si ka shtuar ai, nuk është e mundur të mbahet një takim i tillë pa e përmendur gjendjen gjeopolitike në tërë Ballkanin.