Pa fitues në Napoli, Bayerni thuajse i kualifikuar

Nuk ka dhënë fitues ndeshja në mes të Napolit dhe Barcelonës e luajtur të martën mbrëma në kuadër të fazës nokaut të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë e një të tetës së finales përfundoi me rezultatin 1:1. Napoli kaloi në epërsi në minutën e 30-të me golin e shënuar nga Dries Mertens. Por Antoine Griezmann barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 57-të. Të dy skuadrat kanë pasur raste tjera, por pa i konkretizuar.

Ndeshja e kthimit luhet më 18 mars në “Camp Nou”.

Ndërkohë Bayerni thuajse e ka kryer punën e kualifikimit që në ndeshjen e parë. Bayerni fitoi bindshëm, 3:0, ndaj Chelseat në Londër.

Pjesa e dytë ishte fatale për skuadrën angleze, ndonëse Bayerni dominoi edhe në pjesën e parë. Serge Gnabry shënoi dy golat e parë për Bayernin (51’, 54’), ndërsa fitoren e thellë e kompletoi Robert Lewandowski me golin e shënuar në minutën e 76-të. Për Lewandowskin ishte goli i 11-të në këtë edicion të Championsit. Është golashënuesi më i mirë.

Në ndeshjen e kthimit, më 18 mars, gjiganti gjerman vetëm pritet të konfirmojë kalimin në raundin tjetër të Championsit.