Sulmi izraelit ndaj kolonës së organizatës “World Central Kitchen” (WCK) në Gaza ishte sulm “i synuar” që është pjesë e një politike “sistematike” të përdorur në sulmet e tij të vazhdueshme ndaj enklavës palestineze, tha një zyrtare e OJQ-së ndërkombëtare Oxfam.
Sulmi i 1 prillit vrau shtatë punonjës humanitarë – tre shtetas britanikë, një australian, një shtetas polak, një shtetas amerikano-kanadez dhe një palestinez.
Ai ka shkaktuar reagime të forta në mbarë globin dhe thirrje për përgjegjësi, ndërsa shumë njerëz, përfshirë themeluesin e WCK-së, Jose Andres, kanë kundërshtuar pretendimin e Izraelit se sulmi ishte një “gabim” dhe një rast “identifikimi i gabuar”.
Bushra Khalidi, drejtuese e politikave për territoret palestineze në Oxfam, gjithashtu e sheh sulmin si “të synuar dhe në dukje të qëllimshëm”.
“Ky nuk është një incident i izoluar. Kjo gjë ka qenë sistematike gjatë gjashtë muajve të fundit”, tha Khalidi në një intervistë për Anadolu, duke theksuar se sulmet izraelite kanë vrarë “pothuajse 200 punonjës të tjerë humanitarë” që nga tetori i vitit të kaluar.
“Izraeli ka vazhduar dhe vazhdon të shkelë ligjin ndërkombëtar, (duke kryer) krim pas krimi lufte, krime mizorie dhe nuk po mbahet përgjegjës”, tha ajo.
Nga sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza janë vrarë më shumë se 33 mijë palestinezë deri më tani, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe janë plagosur pothuajse 76 mijë. Sulmet shkatërruan pjesën më të madhe të enklavës, duke zhvendosur miliona dhe duke i lënë ata përballë urisë për shkak të një bllokade gjymtuese ndaj ndihmave dhe gjërave thelbësore.
“Mosndëshkimi” i dhuruar Izraelit nga aleatët e tij perëndimorë e ka sjellë situatën në një pikë ku palestinezët në Gaza po vdesin nga uria dhe kushtet e ngjashme me urinë, shtoi ajo. “Ndjenja ime është se nuk e kam parë kurrë këtë në gjithë karrierën time si humanitare. Ne kurrë nuk e kemi parë këtë nivel të shkatërrimit dhe të dëshpërimit”, tha Khalidi.
Ajo përshëndeti të gjithë punëtorët humanitarë në Gaza si “heronj absolutë” që po ndihmojnë njerëzit “që kërkojnë vaktin e tyre të ardhshëm”.
“Ndihem shumë e trishtuar që bota ka lejuar të ndodhë një situatë e tillë”, tha ajo.
– “Çdo vend që ndihmon Izraelin është bashkëfajtor”
Arsyeja kryesore pse Izraeli vazhdon të kryejë sulme të tilla është se “aleatët e tij nuk po ndërmarrin veprimet që duhet të ndërmarrin”, siç është ndalimi i transferimit të armëve që kanë “ndikim të drejtpërdrejtë në atë që po ndodh në Gaza”, tha Khalidi.
“Ne besojmë se çdo vend që po ndihmon dhe inkurajon Izraelin në shitjen e armëve, në mbështetje diplomatike dhe që nuk bën thirrje për armëpushim dhe nuk bën thirrje për një armëpushim të përhershëm është bashkëfajtor në krimet e luftës që po ndodhin në Gaza”, tha ajo.
“Kjo është e drejta ndërkombëtare. Kjo është bashkëfajësia e shteteve të treta”, shtoi ajo. Khalidi u bëri thirrje qeverive aleate me Izraelin që “të dëgjojnë thirrjen e popullit”.
“Publiku në mbarë botën, në çdo qytet të madh, është mobilizuar dhe ne kemi dëgjuar thirrjen për një armëpushim të përhershëm”, tha ajo.
“Tani po dëgjojmë gjithashtu thirrjen për të ndaluar armatosjen e Izraelit. Qeveritë duhet të dëgjojnë votuesit e tyre. Nëse ata zgjidhen në mënyrë demokratike, ata u detyrohen zgjedhësve të tyre t’i kushtojnë vëmendje kësaj thirrjeje. Përndryshe, ata rrezikojnë edhe llogaridhënien”, pohoi Khalidi.