Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka njoftuar se nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit, sipas tij, ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale.
Megjithatë, ka theksuar se nuk mund të organizojnë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër.
“Mos e miratoni ligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës, sepse do t’i bartni pasojat edhe ju sikur qeveria”, ka shkruar Klinaku.
Postimi i plotë:
Të nderuara media, mos e keqinterpretoni statusin e mëhershëm, sepse nesër nuk ka protestë.
Statusi ishte ky:
Të nderuar veteranë, invalidë dhe familje të dëshmorëve!
Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale.
Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona.
Thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës!
Mos e miratoni ligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës, sepse do t’i bartni pasojat edhe ju sikur qeveria.
Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës!
Në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë.