Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë që po mbahet në kazermën “Adem Jashari” në nderim të Epopesë së UCK-së, ka thënë se Familja Jashari është shembulli më i mirë për të treguar se si mbrohet vendi.
“22 vjet më parë në Prekaz, Familja Jashari po luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë, Prekazin dhe gjithë Kosovën. Në nderim të Epopesë së UCK e kujtojmë me dhimbje dhe krenari Adem, Hamëz dhe Shaban Jasharin”, ka thënë Osmani, njofton Klan Kosova.
“Të nderuar ushtarakë, çdo i ri që e ka ëndërr shërbimin ushtarak nuk mund të gjejë pikë më të fortë referuese për sakrificë për atdheun sesa Adem Jashari dhe familja e tij. Ai i shndërrua në shembull të sakrificës që e ndoqën shumë të rinj e të reja që u sakrifikuan për Kosovën”.
“Si vend e si komb asnjëherë nuk kemi pasur synime ndaj të tjerëve. Synim i yni ka qenë mbrojtja e atdheut tonë. Adem Jashari na e dha këtë shembull. Secili oficer duhet të jetë i gatshëm që ta mbrojë vendin sikur Adem Jashari”.
Ajo iu ka drejtuar ushtarëve duke iu thënë se emblema e shtetit që e bartin sot është projektuar mbi sakrificën e Familjes Jashari.
Osmani ka theksuar se objektivi kryesor strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.