Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Osmani ka thënë se në këtë kohë, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm.
“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për një hap më afër BE-së. Në këtë kohë vendimtare, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri!”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.
Po ashtu, Osmani i ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të zbatojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të zbatojnë vendimin e vonuar për lirimin e vizave për qytetarët tanë”, tha Osmani.