Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Presidentin Donald J. Trump me rastin e betimit të tij si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një letër zyrtare dhe postim në rrjetin social X, Osmani shprehu mirënjohjen dhe vullnetin për të forcuar marrëdhëniet speciale mes dy vendeve.
Në letrën e saj drejtuar Presidentit Trump, Osmani theksoi rolin historik të ShBA-së në mbështetjen e Kosovës gjatë sfidave më të vështira në historinë e saj dhe e përshkroi Kosovën si kombin më pro-amerikan në botë.
Ajo nënvizoi se marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së është e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.
Discover Free Browser Games [Start Playing]
pokiigame
by Taboola
Osmani gjithashtu përmendi rëndësinë e përparimit drejt njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar mbështetjen për vizionin e administratës së re amerikane për paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe më gjerë.
“Kosova do të mbajë përgjithmonë një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara luajtën në mbështetjen tonë gjatë disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë. Angazhimi i kombit tuaj për mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit njerëzor na shpëtoi nga një regjim gjenocidal dhe na frymëzoi të ndërtojmë një Republikë të qëndrueshme dhe të begatë sovrane. Sot, Kosova qëndron si një aleat krenar dhe partner i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga një përkushtim i përbashkët për të formësuar një të ardhme më të sigurt, paqësore dhe premtuese.
Lidershipi dhe përkushtimi juaj për avancimin e rrugës për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim vendosmërisht. Si Presidente e Republikës së Kosovës, unë ndaj bindjen tuaj se kjo do të kontribuojë gjithashtu për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ju dhe administratën tuaj për të siguruar që ky qëllim të arrihet dhe për të forcuar marrëdhëniet tona të veçanta duke ecur përpara.” – thuhet mes tjerash në letrën e Osmanit në adresë të Trump.