Osmani udhëton për në New York, do të takohet me liderë botërorë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar në New York për takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete të tjera në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së

Sipas njoftimit të presidencës, Osmani në takime me homologët e saj do të diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Ajo po ashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.

“Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA”, thuhet ndër të tjera./