Ballina Lajmet Kosovë Osmani takon shefen e operacioneve të NATO-s, diskutuan për paqen, stabilitetin dhe...

Osmani takon shefen e operacioneve të NATO-s, diskutuan për paqen, stabilitetin dhe sigurinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, Gjeneral Brigade Christian Naërat dhe drejtorin e ri, Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange.

Duke iu referuar vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentja nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale.

Tutje, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj.

“Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeneral Naërat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit. Ajo e falënderoi për angazhimin e tij profesional në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe për bashkëpunimin e frytshëm me institucionin e Presidentes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Osmani i ndau Gjeneral Naërat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake.

“Ndërsa, për Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Exit mobile version