Osmani takon ambasadorin e Irlandës, insiston në heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Irlandës në Kosovë, Ragnar Almqvist.

Gjatë takimit ata kanë diskutuar për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Sipas njoftimit pwr media thuhet se Osmani ka falënderuar Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht për angazhimin e saj në proceset integruese evropiane dhe përkrahjen në organizatat ndërkombëtare.

“Ajo ka theksuar rëndësinë e partneritetit të ngushtë me Irlandën, duke e cilësuar këtë shtet si një aleat të çmuar dhe një vend me vlera të përbashkëta demokratike”, thuhet në njoftim.

Një nga temat kryesore të diskutimit ka qenë nevoja për heqjen e masave të padrejta që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës.

Osmani theksoi se heqja e këtyre masave do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për Kosovën, duke i mundësuar asaj që të kontribuojë më tej në forcimin e vlerave dhe vizionit të përbashkët të Bashkimit Evropian.

Përveç kësaj, ata kanë biseduar gjithashtu për progresin e Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian dhe për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë në këtë proces të rëndësishëm.