Osmani takoi komandantin e KFOR-it: Rreziqet vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar mbrëmë në një darkë pune, komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin u diskutuan çështje të sigurisë në vend.

Sipas njoftimit për media thuhet se në këtë takim, Osmani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit.

“Në këtë linjë, presidentja vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n. Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë”, thuhet në njoftim.

Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023.

Ndër të tjera, në këtë takim,Osmani dhe komandanti Barduani pohuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke pranuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë bazë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.