Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani është optimist se Konferenca e Parë Ndërqeveritare me BE-në do të mund të mbahet edhe më 31 dhjetor, nëse Bullgaria deri atëherë e tërheq veton, por në të kundërt, ai druan se mosmarrëveshjet mund të kalojnë në konflikt të ngrirë, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut do të mbetet e izoluar në perspektivën e saj evropiane.
”Kjo nuk është mirë as për të dy vendet dhe as për rajonin në tërësi”, theksoi Osmani.
”Të gjithë janë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është data 14 dhjetor, por jo vetëm data 14, sepse edhe deri më 31 dhjetor presidenca sllovene, nëse merr sinjal nga Bullgaria se heq veton deri më 31 dhjetor, atëherë ministri i Jashtëm slloven mund të thërrasë një takim online të ministrave dhe të miratojë të njëjtën ditë zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, shtoi ai.
”Me rëndësi është të ruajmë afatet e shkurtra. Droja ime është se nëse këto mosmarrëveshje kthehen në një konflikt të ngrirë, atëherë Republika e Maqedonisë së Veriut do të izolohet në perspektivat e saj evropiane”, tha Osmani.
Ai beson se formimi i qeverisë së re në Bullgari jep shpresë për bisedime thelbësore mes dy qeverive dhe se ka një qasje proaktive franceze në gjetjen e zgjidhjes së këtyre
mosmarrëveshjeve. /atsh