Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të mërkurën ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e re e El Salvadorit në Kosovë, Rhina Bardi.
Kështu është bërë e ditur nga Presidenca e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media.
Sipas njoftimit gjatë takimit Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve në fusha të ndryshme.
“Duke vlerësuar udhëheqjen e Presidentit Nayib Bukele, Presidentja Osmani nënvizoi përparimin e jashtëzakonshëm të El Salvadorit në siguri, rritje ekonomike dhe zhvillim të sektorit të turizmit. Ajo theksoi se si Kosova dhe El Salvadori janë renditur ndër vendet më të sigurta në botë, duke rritur kështu atraktivitetin për investime dhe turizëm”, thuhet në njoftim.
Në njoftim po ashtu thuhet se janë identifikuar mundësi për bashkëpunim në sektorët e teknologjisë së informacionit, inovacionit, ekonomisë, mbrojtjes, arsimit dhe turizmit.
“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e promovimit të investimeve të sektorit privat, nxitjes së ndërmarrësisë dhe organizimit të forumeve ekonomike për t`i afruar bizneset dhe institucionet e të dy shteteve”, theksohet në njoftimin e Presidencës.