Osmani: Përkundër nevojës urgjente, Qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-COVID duke e konsideruar të panevojshëm

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se qeveria ka refuzuar trajtimin e ligjit anti-COVID edhe përkundër nevojës urgjente për të rritur gatishmërinë në menaxhim të situatës me pandeminë.

Osmani përmes një postimi në Facebook tha se Qeveria e Kosovës e ka konsideruar të panevojshëm këtë ligj, kurse refuzoi buxhet për maska e vaksina dhe se ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër ndërsa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore.

“COVID-19 ka shtruar nevojën urgjente të qeverive për ta rritur gatishmërinë në menaxhimin e situatës. Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina, ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër përderisa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale”, shkruan Osmani.

Kryeparlamentarja tha se 300 viktimat e COVID-19 janë rezultat i neglizhencës 20 vjeçare ndaj sistemit shëndetësor.

“Të mos harrojmë, viktimat janë rezultat edhe i neglizhencës 20 vjeçare ndaj sistemit shëndetësor të brishtë, i cili megjithëse është konsideruar prioritar në letër, në praktikë nuk po trajtohet si i tillë. COVID-19 është kudo përreth nesh. Sot kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën”, shkruan ndër të tjera Osmani.