Osmani për Trumpin: Nuk e shoh si kërcënim, Kosova e ka pasur mbështetjen e çdo administrate

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur para samitit të Komunitetit Politik të Evropës nga ku ka thënë se bashkëpunimi i Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë fuqishëm edhe nën administratën Trump.

Osmani ka theksuar se zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së do ta forcojë më tej bashkëpunimin edhe me Kosovën.

“Zgjedhja e presidentit Trump do të vazhdojë të forcojë këtë raport transatlantik dhe të gjithë duhet të japim kontributin tonë për këtë çështje. Kosova ka pasur përkrahjen bipartisane të secilës administratë amerikane. Që nga vitet e 90-ta kemi qenë të bekuar me një përkrahje të tillë dhe për këtë arsye kemi çdo arsye për të besuar që kjo përkrahje do të vazhdojë, gjithashtu me administratën e presidentit Trump”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në Budapest.

Tutje, Osmani ka thënë se nuk e sheh zgjedhjen e Trump president si kërcënim derisa ka shtuar se Kosova kishte fituar pavarësinë kur republikanët kishin qenë në pushtet.

“Nuk e shoh si kërcenim. Kosova ka përfituar për dekada nga një përkrahje dypalëshe nga SHBA. U bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet, u çliruam kur demokratët ishin në pushtet. Kemi punuar ngushtë më secilën administratë, dhe fuqishëm besoj që do të vazhdojë kështu”.

E pyetur nëse do të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, meqë ai ndodhet poashtu në Hungari, Osmani është përgjigjur se s’do të takohet.

Ajo tha se takimet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë mbahen në Bruksel.

“Jo, zakonisht nuk takohemi. Kosova dhe Serbia takohen në kuadër të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Diskutimet po vazhdojnë në Bruksel në mes të kryenegociatorëve për atë se si mund të lëvizim përpara në implementimin e marrëveshjeve që janë arritur”, ka thënë Osmani.