Osmani pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan: Kosova do ta finalizojë Dialogun Strategjik me SHBA-në

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova dhe SHBA-ja së shpejti do ta finalizojnë marrëveshjen për Dialogu Strategjik.

Ajo ka thënë se lajmi i është konfirmuar nga zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të cilin e ka pritur në takim të premten.

“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me zëvendëssekretarin amerikan Richard Verma mu konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar Osmani.

Ajo e ka cilësuar këtë si arritje të jashtëzakonshme.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani pas takimit.

Dialogu Strategjik mes SHBA-së dhe shteteve është forum për të thelluar partneritetin mes tyre e që prek disa fusha, si të sigurisë, ekonomike dhe lidhjet mes popujve.

Në një komunikatë të Presidencës thuhet se “në takim u diskutua për përkushtimin e Kosovës për reforma në sundimin e ligjit, avancimin e qeverisjes së mirë dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik”.

“Presidentja Osmani dhe Sekretari Verma diskutuan gjithashtu kontributin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë pritjen e qytetarëve afganë, mbështetjen për Ukrainën dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale”, thuhet tutje në komunikatë.