Osmani: Mund ta zbatojmë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit, me garanci nga partnerët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, ajo thotë se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për një gjë të tillë.

“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, tha ajo.

Megjithatë, Osmani tha se Serbia nuk mund të rrijë sikur nuk ka asnjë detyrim dhe se nuk mund t’i kërkohet vetëm Kosovës zbatim.

“Para se të dërgohet drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese duhet të miratohet një akt juridik nga ana e Qeverisë, pra pa një akt të tillë askush nuk mund ta dërgojë draftin e statutit në Gjykatë Kushtetuese, procedurat janë të qarta, Gjykata e ka sqaruar procedurën… Marrëveshja bazike e cila është arritur në Bruksel dhe ankesi i Ohrit parashohin obligime për të dyja palët. Nuk mund të kërkohet zbatim i detyrimeve vetëm për njërën palë, kurse pala tjetër, pra Serbia e cila formalisht është tërhequr nga marrëveshja të rri kinse nuk ka asnjë detyrim. Marrëveshja ka kuptim vetëm në qoftë se të dyja palët zbatojnë. Pra, në këtë rast Kosova ka ndërmarrë detyrime jashtëzakonisht të dhimbshme do të thosha nëpërmjet neneve të caktuara të kësaj marrëveshje, mirëpo ato kanë kuptim vetëm në qoftë se edhe Serbia zbaton marrëveshjen”, theksoi Osmani.