Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut Stevo Pendarovski do të fillojë nesër vizitën zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani pas takimit me Presidentin Pendarovski dhe konferencës së përbashkët për medie, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se më pas, Osmani do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovacevski.
Përgjatë ditës, ajo poashtu do të ketë takime të ndara edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.
“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova në komunën e Çairit. Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, Presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo. Presidentja Osmani do ta dhurojë po ashtu një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut, Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllakës së Nënë Terezës, si dhe do ta vizitojë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSHM).
Presidentja gjatë kësaj vizite do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.
Vizitën në këtë komunë, Presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.